Lajme

Albin Kurti e Fatmir Limaj u panë bashkë në ambientet e Kuvendit. Çka biseduan?!

01/30/2020 15:51
nga:Gazeta Blic

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj gjatë ditës janë parë bashkë në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse nuk dihet se çka kanë diskutuar, Gazeta Blic merr vesh se ata janë parë së bashku në kohën kur po e pritnin përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles.

“Lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj janë parë bashkë sot në Kuvend. ‘Takimi’ i tyre ka ndodhur në kohën kur po e prisnin përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles. Nuk dihet nëse ata janë takuar rastësisht dhe nëse kanë biseduar për ndonjë temë, sidomos atë për koalicionin qeverisës”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Merret vesh poashtu se Limaj në Kuvend gjatë kësaj kohe është parë të flas edhe me liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj me liderin e Nismës, Fatmir Limaj por ky i fundit nuk ka dashur të flasë në lidhje me këtë temë.

As nga Vetëvendosje nuk kanë folur për mundësinë e një takimi ndërmjet dy liderëve.

Në anë tjetër, deputeti i Nismës, Endrit Shala për Gazeta Blic tha se raportimi i medieve, që Limaj është takuar sot me anëtarin e VV-së, Xhelal Sveçla, është i pavërtetë.

Sipas Shalës, Sveçla nuk është në nivel që të takohet me zyrtarisht me Fatmir Limaj.

Ai shtoi se Limaj gjatë ditës së sotme u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe me liderët e partive politike, ndërsa nuk ka pasur asnjë takim tjetër ndaras me ndonjë përfaqësues të ndonjë subjekti tjetër politik.

“Zotri Sveçla nuk është nivel për me u taku me zotri Limaj zyrtarisht, Limaj sot ka pas takim me Borell dhe gjithë liderët e partive politike në Kosovë dhe Limaj nuk ka pas asnjë takim ndaras me asnjë kryetar të partive tjera politike”, tha Shala.

“Raportimet janë të rreme”, shtoi ai.

Shala tha se së shpejti NISMA zyrtarisht do të lëshojë një komunikatë për medie ku do të sqaroj gjithçka në lidhje me pretendimet e medieve për këto takime.

“Për momentin jam me Limaj dhe së shpejti do kemi edhe një komunikatë të NISMA-s, ku e sqaron që nuk ka ndodhë asnjë takim tjetër”, tha Shala për GazetaBlic.

Endit Shala nga NISMA: Nuk ka takim Limaj-Sveçla raportimet janë fake news

Ndërkohë lideri i LDK-së, Isa Mustafa ende sheh gjasa për marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen, por pa hequr dorë nga oferta e LDK-së që përfshin kërkesën që posti i kryeparlamentarit t’i takojë kësaj partie.

Në intervistën dhënë RTV 21, lideri i LDK-së në rast të dështimit të marrëveshjes me Vetëvendosjen, lë të hapur mundësinë që LDK-ja ta votojë qeverinë e pakicës, të propozuar nga Vetëvendosje, por me kusht që të dihet se çfarë do të jetë ajo qeveri, çfarë programi do të ketë dhe çfarë i ofron Kosovës.

I pyetur për situatën nëse dështon Vetëvendosje me Qeveri të pakicës dhe mundësinë që kur të jetë kjo në diskrecion të presidentit, ta marrë LDK-ja mandatimin për krijimin e Qeverisë, Mustafa tha se ajo pas 4 shkurtit është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë.

RTV 21: Zotëri Mustafa a ka ende gjasë për marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen?

Isa Mustafa: Mendoj se gjasa ka. Mendoj po ashtu se ka arsye shumë të madhe që Lëvizja Vetëvendosje të çojë procesin përpara, të tregojë vullnet dhe ta bëjë koalicionin. Ajo çfarë ne kemi dhënë si zgjidhje kemi konsideruar dhe konsiderojmë që është zgjidhje e mirë, mundëson të qeveriset në mënyrë stabile për katër vitet e ardhshme dhe mundëson po ashtu një balancim të pushteteve që është e domosdoshme në çdo demokraci e edhe tek ne.

RTV 21: Si do të veprohet nëse nuk arrihet një marrëveshje koalicioni?

Isa Mustafa: Për tutje unë nuk mund të them se çfarë dhe si do të veprohet. Unë megjithatë mbetem me shpresë që kjo duhet të përfundohet, ashtu siç ka filluar. Lëvizja Vetëvendosje të shfrytëzojë mandatin, të tregojë vullnet të mirë edhe ta bëjë qeverinë.

RTV 21: Nëse dështon marrëveshja për koalicion, a do ta votoni Qeverinë e pakicës të propozuar nga Vetëvendosje?

Isa Mustafa: Tash ne jemi shprehur më datën 26 dhjetor se në qoftë se do të thotë na ndahen rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ata nuk vazhdojnë edhe më tutje negociatat me ne dhe bashkëqeverisjen me ne, atëherë ne do të votojmë një qeveri të tillë, por jo pa kushte. Duhet të dimë se çfarë do të jetë ajo qeveri, çfarë programi do të ketë, çfarë i ofron Kosovës, sepse nuk kemi mundësi që jashtë përgjegjësisë sonë të votojmë e pastaj e të mos dimë se çfarë do të bëjë ajo qeveri.

RTV 21: Nëse dështon Vetëvendosje me Qeveri të pakicës, kur të jetë në diskrecion të presidentit, a do ta pranoni ju herën e dytë mandatimin për krijimin e Qeverisë?

Isa Mustafa: Mendoj se kjo është çështje e Vetëvendosjes, që z. Kurti duhet ta shfytëzojë maksimalisht mandatin që e ka. Ajo pas datës 4 shkurt është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të japë një përgjigje të tillë. Ne vullnetin tonë e kemi pasur dhe e kemi ta përmbyllim këtë koalicion me Vetëvendosjen, por natyrisht duke respektuar njëra- tjetrën si palë të kësaj marrëveshjeje.RTV 21: A do të thotë kjo se zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme?Isa Mustafa: Mendoj se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e vetme dhe nuk duhet të ndodhin. Mirëpo a do të ndodhin apo jo në rend të parë është përgjegjësi e partisë, e cila ka dalë e para. Zgjedhjet janë një instrument demokratik, por mendoj se qytetarët nuk kanë dalë në zgjedhje më 6 tetor të vitit të kaluar për të shkuar në zgjedhje të reja, por për të formuar institucionet e Republikës së Kosovës. Prandaj, nuk duhet shumë të imtësohet kjo çështje, të shikohet në detaje tepër të holla, të dyshohet në qeverisjen e mëtutjeshme, por të bëhet qeveri prej njerëzve të zakonshëm, sepse ne nuk jemi të veçantë asnjëri në këtë vend. Do të thotë nuk jemi njerëz hyjnorë që duhet tash të pritet që me çdo kusht të arrihen edhe rezultate hyjnore. Jemi këta njerëz që jemi, të Kosovës, duhet t’i besojmë njëri- tjetrit dhe duhet ta bëjmë një qeveri që ju shërben qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Nëse Vetëvendosje dështon ta formoj qeverinë, a do ta pranonte LDK mandatarin?! Kjo është përgjigja e Isa Mustafës

03/27/2020 21:28

Isa Mustafa: LDK e kundërshton fuqishëm shkëmbimin e territoreve, marrëveshja arrihet në tavolinë