Sporti

Alban Bellopoja analizon të gjitha ndeshjet e xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës

07/02/2020 20:57
nga:Lorik J

Xhiroja e 28-të e Superligës së Kosovës fillon nesër, ndërsa mbaron në ditën e fundit të javës, të dielën.

Nesër zhvillohen dy takime, ajo mes Prishtinës e Drenicës dhe Vushtrrisë e Flamurtarit, ndërsa të shtunen zhvillohen dy duele, raporton GazetaBlic Sport.

Dukagjini – Ballkani dhe Feronikeli – Gjilani luhen të shtunën, kurse të dielën luhet super derbi mes Llapit dhe Dritës dhe takimi mes Ferizajit dhe Trepçës 89.

Trajneri i Shkollës së Futbollit AB, Alban Bellopoja ka dhënë parashikimin e tij për të gjitha këto ndeshje të Superligës.

Më poshtë mund të lexoni analizën e tij për secilin takim të kësaj jave të Superligës:

Vushtrria – Flamurtari:

“Vushtrria tashmë e dorëzuar e pret Flamurtarin në formë të mirë në këto xhirot e fundit dhe kuqezinjët udhetojnë mjaft të motivuar dhe me qëllim të arrijnë fitore në Vushtrri, për të arritur qëllimin që kanë deri në fund të kampionatit, mbijetesën në mesin e 10 ekipeve elitare në vendin tonë”, tha Bellopoja për këtë ballafaqim.

Prishtina – Drenica:

“Sa i përket Prishtinës nuk ka alternativë tjetër përpos fitores ndaj Drenicës, nëse dëshiron të jetë konkurrent për titullin kampion dhe secila ndeshje deri në fund për Prishtinën do të jetë finale dhe tashmë gabimet eventuale do ti kushtojnë. Një Drenicë në krizë të rezultateve kohëve të fundit do ta ketë të vështirë rezultatin pozitiv në kryeqytet”, theksoi Bellopoja për ndeshjen e nesërme.

Feronikeli – Gjilani:

“Feronikeli një ekip mjaft i respektuar dhe kualitativ do të perballet me një Gjilan që është me i motivuar për këtë ndeshje duke pas parasysh ambicet për vazhdimësi, por mua personalisht nuk po më bind ky Gjilan dhe mendoj që do të ketë problem në Drenas nesë Feronikeli respekton veten dhe autoritetin që ka krijuar si klub këto vitet e fundit”, analizoi trajneri i njohur kosovar.

Dukagjini – Ballkani:

“Sa i përket Ballkanit mendoj që nuk do të ketë shumë probleme me Dukagjinin, sepse Dukagjini tashmë është jashtë çdo matematike për të shpëtuar nga rënia, ndërsa Ballkani po lufton për titullin kampion dhe është e motivuar për këtë ndeshje të jete në garë për më të mirin e sezonit deri në fund”, tha shkurtimisht Bellopoja.

Llapi – Drita:

“Derbi i kësaj jave Llapi-Drita do të jetë mjaft interesant për tu ndjekur, duke analizuar dy ndeshjet e fundit të Llapit që ka treguar lojë mjaft të mirë, sidomos ndaj Gjilanit, ku me pak fat ka mundur të dal fitues. Por në anën tjeter kanë një kundershtar si Drita me mjaft kualitet dhe me pervojë që po tregojnë lojë të mençur, të matur dhe po dënojne kundërshtarët me ato raste që po i krijojnë, së bashku me Prishtinen mendoj që janë pretendentët kryesor për kampion”, tha ai.

Ferizaj – Trepça 89

“Ndërsa Ferizaj – Trepça 89 është derbi i mbijetesës. Në Ferizaj kam qenë trajner gjysëm-sezonin e kaluar së bashku me Bekim Isufin, shumë probleme në organizim të klubit që ka ndikuar shumë në pozitën ku gjenden dhe për çka po “luftojnë”, sa i perket lojës në fushë mendoj që kualiteti është i përafërt, por fitorja e fundit e Trepçës 89 në Drenicë do të jetë infuzion i mirë për Mitrovicasit, ndërsa Ferizaj ka kohë të gjatë që ska fituar ndeshje dhe do jetë mundësia e fundit për “ringjallje” drejt mbijetesës”, përfundoi Bellopoja në analizën e tij për këtë sfidë.

/GazetaBlicSport.