Sporti

Aladin Djakovac: Jam i lumtur për transferimin në Arbëri, synojmë garat evropiane!

08/06/2020 14:31
nga:Lorik J

Aladin Djakovac është lojtari më i ri i klubit të Superligës, KF Arbëria.

Për Djakovac transferimi në Superligën e Kosovës është një aventurë e re – pasi “shkel” tokën e vendit tonë për herë të parë në karrierë, raporton GazetaBlic.

Boshnajku luan në pozitën e mesfushorit dhe ka karrierë të jashtëzakonshme – ndërsa së fundmi ishte pjesë e klubit portugez, Uniao Madeira. Ai pritet të sjellë një kualitet të lartë në mesin e fushës së KF Arbëria.

Djakovac theksoi se lidhja me klubin e Arbërisë ishte shumë e hapur që nga fillimi i kontakteve.

“Po, është përvoja ime e parë këtu. Në fakt, unë u interesova – sepse kisha disa rekomandime të mira për Arbërinë nga disa miq të mi nga Kosova, kështu që nga lidhja me klubin ishte e hapur”, tha fillimisht Djakovac për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, mesfushori potencoi se nuk e njeh shumë mirë ekipin – pasi nuk e ka përcjellur më parë, por thotë se është i kënaqur me punën e trajnerit, Arbnor Morina.

“Për ekipin nuk di shumë, dy vitet e fundit luajta në Portugali, kështu që nuk isha në gjendje të ndiqja shumë futbollin në këtë rajon. Deri më tani, mund të them që jam pritur mirë nga lojtarët dhe njerëzit në klub, dhe shumë i kënaqur me punën e trajnerit Morina”, vazhdoi ai.

Në fund, ai tha se tifozët e Arbërisë janë të jashtëzakonshëm, kurse tha se me punë dhe organizim të mirë do të luftojnë për të dalur në garat evropiane edicionin e ardhshëm.

“Një nga gjërat që pashë së pari për këtë klub janë tifozët e mirë. Më duhet të them se me atë atmosferë, profesionalizëm dhe organizim të mirë, ne duhet të përmirësohemi dhe të përpiqemi të jemi në luftë për vendin që na kualifikon në Evropë”, përfundoi mesfushori më i ri i klubit nga Lipjani.

/GazetaBlic/