Lajme

Aktakuzë ndaj të dyshuarit që vrau gruan në Prizren

03/02/2020 14:50
nga:Norë Kelmendi

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.V., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 06.08.2019 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Sipas aktakuzës, me datë 06.08.2019 rreth orës 23:18 minuta, në Prizren, në lagjen “Jeta Re”, në rrugën ”Qenë Qenaj”, i pandehuri B.V., me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij A.V., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje paraprake që kishte me bashkëshorten e tij, në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit “Pietro Beretta Gardone” e kalibrit 9 x 19 mm, del nga shtëpia, i afrohet tashmë të ndjerës A.V., e drejton pistoletën në drejtimin e saj, duke shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

“Nga goditja e predhave viktima rrëzohet për tokë, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, ku pastaj i pandehuri B.V., viktimën e mbulon me një fustan të saj dhe e pret ardhjen e policisë”.

Me këto veprime i akuzuari B.V., ka përmbushur elementet e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprat penale të cilat i vihen në barrë.

06/14/2020 10:43

Një grua nga Prizreni vdes nga koronavirusi, shkon në 33 numri i viktimave në Kosovë