Lajme

“Ajo çfarë donte Vjosa Osmami të bënte në LDK-në ‘ishte një çmenduri’, pasi donte ‘vasalitet’ në raport me VV”

04/07/2021 15:44
nga:M K

Për befasinë e shumëkujt, Lidhja Demokratike e Kosovës ndihmoi zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, duke qëndruar në sallë dhe duke votuar për ta mundësuar kuorumin prej 80 votash.

Veprimin e LDK-së e ka të paqartë edhe ish-kryetari i saj, Isa Mustafa.

Ai, në një prononcim të shkurtër për Albanian Post, pohon se s’ka njohuri se cili ka mundur të jetë përfitimi i LDK-së nga ky pozicionim politik.

“Unë nuk kam njohuri se cilat kanë qenë arsyet dhe si pasojë përfitimet e pritshme të LDK-së nga një veprim i tillë”, tha shkurt Mustafa, i pyetur se si e ka parë veprimin e tashmë ish-partisë së tij.

Për këtë arsye Mustafa pohoi se s’mund të ketë një përgjigje më komplete dhe s’mund t’i bëjë një analizë më të detajshme situatës.

Lider i LDK-së për mbi një dekadë, vetë Mustafa ka pasur një raport të luhatshëm me Osmanin.

Ai ishte acaruar me të kur ajo s’e pati votuar kabinetin e tij qeveritar, nën arsyetimin që s’i pëlqente koalicioni i LDK-së me PDK-në atë botë.

Më pas, Osmani kishte tentuar ta sfidonte Mustafën për të paren e LDK-së, por nuk ishte lejuar as të kandidonte, derisa më vonë u vendos krejt në fund të listës zgjedhore të LDK-së për deputete.

Pastaj, për arsye që nuk është se janë shpjeguar krejtësisht, kishte ndodhur një afrim i Osmanit me Mustafën.

Ai e afroi përsëri Osmanin në parti dhe ajo e aprovoi afrimin. Në zgjedhjet e parafundit Mustafa e përzgjodhi si kandidate të partisë për kryeministre dhe Osmani falënderuese udhëhoqi kampanjën.

Kur dukej se gjithçka po shkonte mire mes tyre, Osmani, atëkohë kryeparlamentare, kishte refuzuar të përkrahë politikën e LDK-së në raport me partnerin e koalicionit, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe prapë u rreshtua kundër partisë.

Veprimi i Osmanit dhe refuzimi t’i bëhej krahë partisë, e kishte detyruar Mustafën të reagonte duke e shkarkuar nga pozita e nënkryetares dhe çdo funksion pushteti brenda LDK-së.

Në një intervistë të mëhershme për Albanian Post, sa Mustafa ishte ende kryetar, ai pati racionalizuar veprimin e tij për degradim të rolit të Osmanit brenda LDK-së.

“Ajo çfarë donte Vjosa Osmami të bënte në Lidhjen Demokratike të Kosovës ‘ishte një çmenduri’, pasi donte ‘vasalitet’ në raport me Vetëvendosjen”, pati deklaruar Mustafa.

“Vjosës ia pamundësova që LDK-në ta bëjë nëndegë të Vetëvendosjes”, ishte shprehur ai.

Se a është konkretizuar frika e Mustafës në një realitet, me veprimin e fundit të LDK-së, duke përkrahur kandidaten e Vetëvendosjes për presidente, ai s’e ka një përgjigje.

Pikërisht për shkak se “s’ka njohuri”, pse LDK-ja veproi ashtu.

Njohuri për qëndrimin e pakuptueshëm për Mustafën të LDK-së, ka pasardhësi i tij në parti, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i ri i partisë së vjetër tha se LDK-ja veproi ashtu, sepse e kupton situatën dhe rëndësinë e madhe të konsolidimit të institucioneve për t’u marrë me problemet e shtetit.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja nuk e bëri për Vetëvendosjen, por për Kosovën.

LEXO EDHE:

Vjosa Osmani takohet me kryeministrin Kurti, diskutojnë për situatën pandemike në vend