Lajme

Ahmeti: Tërheqja e Platformës së Qeverisë nga Kuvendi; Masa më e mençur!

06/08/2018 09:36
nga:D.I

Tërheqja e Platformës nga ana e Qeverisë nga ana e Qeverisë Haradinaj është masa më e mençur që kjo qeveri ka marrë. Kështu ka thënë Analisti politik, Xhemal Ahmeti.

Ahmeti në një bisedë për “Gazeta Blic”, tha se assesi nuk duhet të lihet faza finale e dialogut në duart e Hashim Thaçit, madje një veprim të tillë ai e konsideron të rrezikshëm.

“Se që është kjo është masa më e mençur e Qeverisë Haradinaj. Tërheqja e platformës ku Hashim Thaçi dhe kabineti i tij do të ishin prijësit e dialogut është një domosdoshmëri në interes të ruajtjes së sovranitetit dhe sigurisë së vendit. Jo vetëm kaq”, është shprehur Ahmeti.

Sipas tij Thaçi dhe siç i quan ai dytësorët e tij flasin për kompromise me Serbinë dhe lëshime jo-institucionale për të cilat vendos vet presidenti.

“Tërheqja duhet edhe për t’ia ruajtur reputacionin shtetit dhe mekanizmave të tij legjitim. Në emër të kujt dhe më ç’autorizim? Me sa dihet as Parlamenti, as Qeveria nuk kanë hapur në mënyrë zyrtare procedura për kompromise apo formate të fazës së fundit të dialogut. Në emër të kujt dhe me ç’kompetenca dialogon presidenti, i cili si ashtu ka karakterin reprezentues”, ka thënë ai.

Ahmeti konsideron se roli i Thaçit është më tepër se i rrezikshëm në këtë fazë. Presidenti i Kosovës sillet si Vuçiçi në Serbi.

“Presidenti serb dihet se ka shkyçur institucionet dhe bën një kampanjë dialogu të stilit – e dhimbshme por duhet bërë. Çka duhet bërë? Çka duhet Vuçiç të marrë apo të japë në raport me një shtet të pavarur dhe sovran me të cilin mundesh vetëm të kesh marrëdhënie të mira diplomatike ose jo? E në Evropë nuk shkohet me armiqësi por me njohje reciproke. Thaçi bën si ai kur thotë duhen kompromise: cilat janë ato përveç të nënshkruarave si asociacioni i komunave dhe të njohurat? Dorëzimi i Trepçës; dhënia e një autonomie pakufi e paprecedent Veriut; dorëzimi i liqeneve që kërkon Serbia dhe segmenteve tjera ekonomike substanciale që kërkon Vuçiç e Turqia ka pranuar t’ia kalojë nëse pranon Kosova”, deklaroi analisti.

Më tej, Ahmeti ka kritikuar ashpër politikën e Thaçit. Sipas tij ai dhe të tjerët në Kosovë po vënë në pikëpyetje statusin e vendit.

“Parasë gjithash kjo politikë e kompromisit përtej atyre të nënshkruarave me Brukselin nuk duhet të kalojë e as të bëhet diskurs madje. Ngase dihet botërisht se politika e Thaçit shkon drejt ridialogimit të statusit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe kjo do të thoshte kthim prapa para 1989, askush nuk kupton sjelljen e Qeverisë dhe opozitës në Kosovës që merren me tema perifere e të kota e jo me këtë problem kurcial. Kompromis për çka duhet të jetë pyetja dhe kush e vendos këtë? Qeveria, parlamenti, demosi apo Thaçi vetë?”, ka përfunduar Ahmeti.

Në fotografi: Analisti Xhemal Ahmeti

Qeveria e Kosovës me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka tërhequr nga Seanca e Kuvendit, Platformën për bisedime me Serbinë, e cila ishte parashikuar të diskutohej si një nga pikat e rendit të ditës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emër të qeverisë, ka parashtruar kërkesën për ta hequr nga rendi i ditës platformën për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, projekt-platforma në fjalë kërkon debate e diskutime të brendshme politike për konsensus, para se të shqyrtohet për miratim në Kuvend.

“Në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, me mirëkuptim kërkoj të tërhiqet lënda projekt-platforma për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e proceduar në Kuvend me 23 prill 2018”, tha Reçica.

“Ky veprim bëhet në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsensusi sa më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme”, tha ai.

Kujtojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikatë për media, ditë më parë ka bërë të ditur se nuk do ta përkrahë Platformën për dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jo kushtetuese”, thuhet në deklaratën e publikuar nga ana e LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK: Avdullah Hoti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti ka theksuar se së fundi e kanë paralajmëruar edhe finalen e madhe të dialogut e mbase kjo do të jetë edhe një çerekfinale e vogël nëse pa një plan 4+1.“Para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që:

Të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017, të raportohet në kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim e pak transparencë. 33 marrëveshje i ka nënshkruar Kosova me Serbinë, dhe shumica e tyre nuk janë realizuar.

Të realizohet dialogu i brendshëm i hapur dhe demokratik në institucione dhe shoqërinë tonë.

Debati në Kuvend para dialogut për dialogun me Serbinë,për parimet dhe agjendën për qëllimin dhe formatin. Dialogu që u zhvillua nga 2011-2017 ishe dialog sipas kushteve të Serbisë.

Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu.

Të pajtohemi që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga priortizimi i punësimit dhe drejtësisë si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se gjatë dialogut 2011-2017 është rrëmbyer agjenda shtetërore e Kosovës nga diplomacia e bisedimeve permanente të normalizimit.Kurti ka theksuar se në asnjë moment apo rrethanë pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat e parimet, strategji dhe përfaqësimin në dialog, nuk mund ti përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit.

“Njeriu që i frikësohet aktakuzës nga Gjykata Speciale, njeriu i cili është protagonist i aferës Pronto, njeriu i cili vendosi lule dhe bëri nderime te pllaka përkujtimore e strukturave të Serbisë në Kosovë, njeriu i cili e mbështeti Zajednicen, njeriu i cili më 20 janar 2012 i detyroi deputetët e PDK-së ta rrëzojnë reciprocitetin me Serbinë, njeriu që mbanë përgjegjësinë kryesore për mosanëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ky njeriu nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësoj në këtë proces”, u shpreh Kurti, duke theksuar se është i nevojshëm plani 4+1 para çfarëdo dialogu.

Në fotografi: Kryetari i LVV, Albin Kurti

Plani i 4+1 i plotë

1)Para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që:1) Të bëhet bilansi shtetëror i dialogut 2011-2017: të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim dhe pak transparencë. 33 marrëveshje i kanë nënshkruar Kosova me Serbinë në dialogun gjashtëvjeçar. Shumica dërrmuese e tyre nuk janë realizuar. Në veçanti duhet theksuar bllokimi që na e bën Serbia në fushën e energjisë elektrike, në urën mbi Ibër në Mitrovicë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në reciprocitetin e njohjes së diplomave. Në anën tjetër, kemi edhe marrëveshje pa efekt, si psh. zyrtarët ndërlidhës në Prishtinë e Beograd që nuk kanë kurrfarë roli. Apo, kemi edhe marrëveshje të arritura me kundërefekt, psh. fusnota në emërtimin e shtetit: Serbia na lufton njësoj kur duam të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Nuk ekziston një dokument zyrtar qeveritar që vlerëson dialogun gjashtëvjeçar dhe marrëveshjet e tij. Ai dokument moti është dashur të vijë në Kuvendin e Kosovës.

2) Të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucionet dhe shoqërinë tonë. Debate në Kuvend para dialogut e për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën, për qëllimet dhe formatin. Dialogu që u zhvillua në vitet 2011-2017 me Serbinë ishte dialog sipas kushteve të Serbisë: diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës, pa u konsideruar Serbia si borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Dialogu i brendshëm duhet zhvilluar me kategoritë e ndryshme shoqërore dhe grupet e interesit, si dialog prej poshtë. Psh. me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, shoqatën e ish të burgosurve politikë, komunitetin e biznesit, kryetarët e komunave të Kosovës, pakicat kombëtare etj. Siguresat e procesit edhe duhen përcaktuar edhe duhet të jenë qysh në fillim e jo veçse në fund.

3) Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian (BE) për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu. Nuk mund të vazhdohet me “dykuptimësinë kreative” me ç’rast për vetë emërtimin e dialogut, pra “normalizimin e marrëdhënieve”, në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel kemi së paku tri kuptime të ndryshme. Po ashtu, vetë procesi herë quhej dialog teknik e herë politik, herë bisedime e madje edhe negociatë. Duhen sqaruar shprehjet dhe objektivat, si dhe përfitimet e Kosovës në integrimin euro-atlantik, ndërlidhja me Procesin e Berlinit dhe kalimi nga “normalizimi i marrëdhënieve” te “fqinjësia e mirë”.

Dialogu paraprak me BE-në është i nevojshëm edhe për vetë BE-në e cila ka shprehur interesim të ripërtërirë për integrimin e Ballkanit perëndimor dhe ka filluar të mendojë për kalendarin përpara të gjashtë shteteve të Ballkanit të cilat ende ngelen jashtë BE-së.4) Të pajtohemi që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga prioretizimi i punësimit dhe drejtësisë, si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim. Gjatë dialogut 2011-2017, është rrëmbyer agjenda shtetërore nga diplomacia e bisedimeve permanente të “normalizimit”. Zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, u patën lënë anash. Energjia qeveritare, koha mediale si dhe vëmendja qytetare u ç’orientuan prej preokupimeve të brendshme të shtetndërtimit demokratik, drejtësisë institucionale dhe zhvillimit socio-ekonomik. Po ashtu, dialogu me Beogradin i defaktorizoi qytetarët serbë të Kosovës dhe i la ata në harresë.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017, shkeljet më të rënda dhe më të shumta u bënë pikërisht në mjediset ku jetojnë serbët për shkak të ndërhyrjes së Serbisë dhe prederencës së saj për njërin subjekt politik të serbëve në Kosovë.Në këtë mënyrë, do të ndërtohej pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat e parimet, strategjitë dhe përfaqësimin në dialog. Në asnjë moment, rrethanë apo rol kjo pajtueshmëri nuk mund t’i përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit. Njeriu i cili:në dialog me Serbinë nuk e ngriti çështjen e të pagjeturve, të dëmeve të luftës, të ndarjes së Mitrovicës e të shfrytëzimit të Trepçës, të shqiptarëve të shtypur në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të 1.200 artefakteve kulturore të plaçkitura nga Serbia, të kontributeve pensionale dhe të depozitave bankare të vjedhura, të 172 pronave të Kosovës që janë nëpër ish Jugosllavi;
për gjashtë vjet e heshti çështjen e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit të Serbisë në Kosovë dhe nuk e paditi Serbinë për to;
i frikësohet tejet shumë aktakuzës së mundshme nga Gjykata Speciale të cilën për interes personal u orvat ta sulmojë në natën e 22 dhjetorit 2017;
është protagonist i aferës ‘Pronto’ (të gjithë mbajmë mend se si i quante qytetarët e Malishevës dhe ish kryeparlamentarin Jakup Krasniqi);
vendosi lule dhe bëri nderim te pllakat përkujtimore të strukturave të Serbisë në Kosovë ku shkruan ‘viktimat e terrorizmit shqiptar dhe të agresionit të NATO-s’;
gjithë dialogun e tij me serbët lokalë e zhvilloi para një morie kamerash kur ia fali një serbi një traktor e të cilin ai e shiti pastaj;
e mbështeti ‘Zajednicën’ (Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe) që doli të jetë anti-kushtetuese;
me 20 janar 2012 i detyroi deputetët e PDK-së ta rrëzojnë reciprocitetin e
Kosovës me Serbinë të miratuar më 7 dhjetor 2011 në Kuvendin e Kosovës; mban përgjegjësinë kryesore për dështimin në anëtarësimin në UNESCO që paraqet dështimin më të madh në politikën e jashtme kosovare…nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësojë në këtë proces.

/GazetaBlic/

08/21/2018 09:20

Thaçi viziton BIK-un: Kosova është dhe do të mbetet tolerante ndaj besimeve