Anëtari i PSD-së, Bardh Ahmeti, ka kritikuar ashpër qeverinë e Albin Kurtit, duke thënë se partitë që erdhën në pushtet me fushata anti-korrupsion dhe anti-nepotizëm kanë dështuar të realizojnë premtimet dhe se, përkundrazi, janë përfshirë në praktika nepotiste.
Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic ka përmendur raste të punësimeve të familjarëve të zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë familjarë të Besnik Bislimit, Enver Dugollit dhe Glauk Konjufcës.
“Të gjitha partitë që kanë ardhë në pushtet me fushatë anti-korrupsion e anti-nepotizëm, i kanë bërë të dyja më së shumti. Për dallim prej partive tjera, kjo Qeveri ka tentuar që gjatë gjithë kohës të shfajsohet duke thënë që njerëzit e VV’së janë më të mirë ose më të kualifikuar se sa krejt tjerët. Këtu vlen të përmendet edhe një deklaratë e Besnik Bislimit I cili kishte thënë se: “Ne, ekspertët nuk i kemi për turrshi, por për vende të punës”, tha Ahmeti.
“Enver Dugolli i VV’së i ka të punësuar dy vllezër, për disa muaj. Vëllai i tij është i punësuar në ndërmarrjen e Ibër-Lepencit, ku drejtor është zyrtari I VV’së, Faruk Mujka. Në anën tjetër, vëllai tjetër i Dugolli është bërë sekretar në Ministri të Mbrojtjes. Pra, për tre muaj dy vëllezërit e Dugollit u rahatuan në pozita të rëndësishme shtetërore”, shtoi ai.
Ahmeti tha se ky lloj nepotizmi i Qeverisë Kurti ngjason me aferën PRONTO.
“Kemi pasë edhe rastin me motren e Xhelal Sveçlës, pastaj edhe motra dhe vajza e xhaxhait të Liburn Aliut, të cilat janë punësuar Brenda të njëjtës ditë. Kemi rastin e xhaxhait të Glauk Konjufcës, i cili është i emëruar si këshilltar në Ministri të Mbrojtjes, ndërsa xhaxhai tjetër i tij merr subvencione prej Faton Pecit”, thotë ai.
“Duhet përmendur edhe rasti me familjarët e Fitore Pacollit, mediat u sulmuan ashpër veç pse e publikuan këtë skandal. Është edhe bashkëshortja e Salih Zybës, një deputeti që është shumë aktiv në Vetëvendosje, nipi i Besnik Bislimit, e edhe motra e tij. Pra, ka pafund punësime. Nëse i sheh ndërmarrjet publike, unë jam i bindur se ka më shumë punësime se sa në PRONTO, veç këto nuk i kemi dëgjuar me zë, por të publikuara”.
Ahmeti ka theksuar se ky pushtet ka krijuar një sistem autoritar dhe se opozita duhet të jetë e bashkuar për të sjellë ndryshim, duke shtuar se ky qeverisje do të mbetet në pushtet për shkak të sulmeve ndaj opozitës dhe kritikëve.
“ Për bindjen e PSD-së, pushteti i Kurtit është autoritar. Ne e kemi thënë që ky pushtet nuk largohen lehtë, është rrezik që do të mbesin gjatë në pushtet sepse sulmin kryesor e ka ndaj opozitës dhe ndaj kritikëve të saj. Një pushtet i tillë nuk rrëzohet me qasjen që e ka pasë Paralmenti për këto katër vite, besojmë që duhet opozita të jetë e bashkuar”, tha Ahmeti.
“Pushtetet e tilla qëndrojnë gjatë, jo për punën që e bëjnë, por kushdo që e votuan VV’në nuk e bën më krenarinë që e ka bërë në vitin 2021, sepse atëherë kanë thënë që s’ka korrupsion, afera e nepotizim. Duhet angazhim shumë më I madh opozitar për me rrëzu këtë pushtet”, shtoi ai.