Lajme

Ahmeti: Demarkacioni do të nënshkruhet në këtë javë. Tjetër zgjidhje nuk ka!

02/27/2018 12:13
nga:D.I

Politologu, Xhemal Ahmeti në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur në lidhje për çështjen e demarkacionit dhe asaj se a do të munden partitë politike t’i japin epilog kësaj teme.

Ahmeti është shprehur i bindur që në këtë javën demarkacioni do të nënshkruhet.

“Po. Në këtë javë demarkacioni do të nënshkruhet. Tjetër rrugë nuk ka. Kosova i humbi tri vite dhe tash, më së vonit në zgjedhjet e ardhshme do të ndëshkohen fajtorët”, ka deklaruar ai, raporton Gazeta Blic.

Ahemti ka komentuar edhe veprimet e kryeministrit Haradinaj në lidhje qëndrimeve e tij ndaj demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tij ai paradite thotë kjo kalon vetëm mbi “kufomën” time dhe pasdite e nënshkruan duke u zgërdhirë marrëveshjen që të votohet demarkacioni.

“Kryeministri Haradinaj kohëve të fundit nuk tregohet si burrështetas por si një i deleguar i kullave. Ai zotohet për gjëra që s’ janë në kompetencën e tij. Ndoshta ka të bëjë kjo me difuzionin që ia shkaktojnë këshilltarët kryesisht ekcesiv, siç i njohim nga mediat, por se del jashtëzakonisht joserioz shihet tashmë. Ai paradite thotë kjo kalon vetëm mbi “kufomën” time dhe pasdite e nënshkruan duke u zgërdhirë marrëveshjen që të votohet demarkacioni”, është shprehur analisti Ahmeti.

Tutje ai ka folur edhe për qëndrimin e LDK-së për demarkacionin.

“…Në demokraci pluraliste dhe sistem shumë partiak kush bën zotime me metafora manxerkash kullave të Atdheut del qesharak. As që kishte rrugëdalje tjetër. LDK nuk është korrekte në stilin se si zhvillon politikën për të fituar poenta e vota për në të ardhmen por ajo del më institucionaliste dhe me më përgjegjësi ngase vepron e pjekur politikisht, më shumë për shkak Isa Mustafës e jo këtyre donkishotëve të sapoaderuar”, tha ai.

I pyetur për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje karshi Demarkacionit me Malin e Zi, ai e ka cilësuar këtë parti politike si totalisht të de-faktorizuar.

“LVV është totalisht e de-faktorizuar. Na habisin këta deputetët që bënë revoltë dhe megjithatë nuk shkoqen dot nga “baba”. Nuk e di me çka kërcënohen, por gjatë kësaj periudhë, dhe gjatë kësaj taktike “jam e s’jam me ty” ata kanë humbur çdo besim dhe kredit për tu votuar ndonjëherë më si deputet. Konsiderohen si të pa kurriztë dhe pa perspektivë”, ka përfunduar ai.

Duhet theksuar se para pak ditësh kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, kanë bërë të ditur se pas një takimi të suksesshëm është arritur konsensusi ndërpartiak për përmbylljen e çështjes së shënimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa në ditën e shtunë, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në konferencën e thirrur për shtyp ka treguar se ka pranuar kushtin e Lidhjes Demokratike për ta ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin.

Haradinaj ka thënë se është larguar pengesa e fundit për të arritur një konsensus me LDK-së.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i bindur se në seancën e të mërkurës do të sigurohen votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Madje ai ka thënë se segmente të caktuara të Vetëvendosjes, individualisht, kanë shprehur gatishmërinë të votojnë për Demarkacionin.

Seanca për demarkacion do të mbahet ditën e mërkure (nesër), në ora 10:00.

/GazetaBlic.

06/22/2018 19:30

‘Emërimi i Begollit në Telekom, i kryen favor krimit të organizuar’