Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen qëndroi sot në Prishtinë, ku u prit në takim nga presidentja Osmani. Pas takimit me presidenten, presidentja e KE-së, takoi edhe kryeministrin Albin Kurti. Kurti ka bërë të ditur se ka theksuar rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe heqjen e menjëhershme të masave të BE-së.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Gramos Agusholli, i cili këtë vizitë e konsideron me një rëndësi të veçantë , sidomos në këtë periudhë pasi janë rikthyer bisedimet me Serbinë.
Ai thotë se tani është mundësia për të theksuar aspiratat e Kosovës për integrim të plotë evropian dhe për të kërkuar mbështetje konkrete nga BE-ja.
“Me sa di kjo është vizita e katërt e Ursula von der Leyen në Kosovë. Ajo e ka nisur këtë turne në shtetet e Ballkanit pas rizgjedhjes së saj në krye të Komisionit Evropian. E konsideroj vizitën e saj në Kosovë me rëndësi të veçantë, sidomos në këtë periudhë kur janë rikthyer bisedimet me Serbinë. Kjo vizitë është një mundësi për të theksuar aspiratat e Kosovës për integrim të plotë evropian dhe për të kërkuar mbështetje konkrete nga BE-ja”, tha ai.
Agusholli thekson se Kosova nuk mund të mbetet peng i bllokadave të padrejta, të cilat dëmtojnë edhe politikat europiane.
Ai ndër të tjera tregon se për më shumë se dy dekada, Kosova ka bërë të gjithë hapat e nevojshëm drejt vlerave dhe standarteve evropiane.
“Në Beograd, Von der Leyen deklaroi mbështetje për Serbinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së, pavarësisht se Serbia është një nga vendet e rralla që nuk e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Ky qëndrim tregon se edhe kërkesat e Kosovës për mbështetje janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Kosova nuk mund të mbetet peng i bllokadave të padrejta, të cilat nuk dëmtojnë vetëm shtetin tonë, por edhe vetë politikat Europiane.Për më shumë se dy dekada, Kosova ka bërë të gjitha hapat e nevojshëm drejt vlerave dhe standardeve evropiane. Shpresoj që Bashkimi Evropian, së bashku me Presidenten von der Leyen, të reflektojnë dhe të qëndrojnë krah Kosovës në këtë rrugë, duke njohur dhe mbështetur përpjekjet tona drejt integrimit të plotë evropian” përfundoi ai për GazetaBlic.


