Lajme

AGK shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit Arben Rugova

03/19/2024 10:49
nga:Sh R

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngushëlluar për vdekjen e gazetarit Arben Rugova, i cili së fundi ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit, Arben Rugova. Ai ka punuar në sektorin e arsimit dhe të politikës në disa media si Koha Ditore, Gazeta Express, Telegrafi, Gazeta Lajmi e të tjera. Rugova punonte së fundi si Zyrtar për Qasje në Dokumente Publike në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës. Për vdekjen e gazetarit Rugova, kanë njoftuar familjarët e të ndjerit në rrjetet sociale. AGK-ja, i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Për vdekjen e Arben Rugovës ka njoftuar sot familjari i tij Ragip Rugova. Ai do të varroset të enjten në Plavë të Malit të Zi.

Rugova ka lindur në Plavë të Malit të Zi më 3 maj të vitit 1972.