Pas letrave të dërguara në adresë të kryetarit të Bordit të RTK-së nga disa organizata ndërkombëtare të gazetarëve dhe të atyre për lirinë e shtypit dhe medias, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK-ja i ka dhënë përkrahje shqetësimeve të ngritura rreth përpjekjes përshkarkimin e Drejrtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe zvëndësimit të tij me një njeri të afërt të pushtetit.
“AGK-ja, i bashkohet shqetësimit të organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, rreth përpjekjeve për ndërhyrje politike në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit Publik, RTK.”, thuhet në reagim të AGK-së.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, dhe me nënshkrim të rrjeteve tjera të mediave, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në transmetuesin publik të Kosovës, RTK, përcjell Reporteri.net.
Përmes një reagimi, shprehin shqetësimin siç thonë, “nga kriza në rritje brenda RTK-së rreth presionit politik që po ushtrohet për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj”.
Përmendet ky fakt që u ngrit si shqetësim edhe nga ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon.