Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK, ka dënuar gjuhën linçuese të grupit me #mekryeministrin ndaj gazetarëve, përcjell Gazeta Blic.
AGK në reagimin e saj thekson se ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës.
Ata kanë ftuar Qeverinë e Kosovës dhe Lëvizjen vetëvendosje të distancohen nga kjo gjuhë linçuese.
Reagimi i plotë:
AGK dënon gjuhën linçuese të grupit #mekryeministrin ndaj gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e ka pranuar me shqetësim vazhdimin e gjuhës linçuese të grupit #mekryeministrin, në Facebook.
Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto.
Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e prapranueshme për AGK-në.
Ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të distancohen nga kjo gjuhë linçuese dhe të ndalojnë përkrahjen, qoftë indirekte për sulmet e tilla ndaj gazetarëve.