Lajme

Agim Veliu i reagon ashpër Kadri Veselit, këto janë fjalët e tij për të

01/08/2018 15:30
nga:M H

Qëndrimin e Kadri Veselit lidhur me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale që u publikua sot, e në të cilin atakohet Lidhja Demokratike e Kosovës për shfrytëzim politik të çështjes së Speciales, e ka kundërshtuar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu.

Në një prononcim për Periskopin, Veliu ka thënë se LDK-ja asnjëherë nuk i ka shfrytëzuar çështjet e interesit nacional për përfitime politike.

“Nuk qëndron ajo që e ka thënë ai, sepse ne me çështje të mëdha dhe të ndjeshme që janë të karakterit nacional e që i përkasin krejt Kosovës nuk kemi bërë politikë asnjëherë dhe nuk kemi përfituar asnjëherë nga këto gjëra. Si subjekt politik e kemi parim që me çështje të mëdha si këto nuk bëjmë politika” ka thënë Veliu .

Sipas tij PDK-ja do të duhet të dalë vetë nga situata ku gjendet, pasi ata kishin insistuar që Dhomat e Specializuara të aprovoheshin.
“Ata duhet të dalin vetë nga kjo situatë, sepse ata kanë insistuar që të themelohet Gjykata dhe të aprovohet Ligji dhe të behën ndryshimet. Ata duhet të sqarohen me vetveten dhe para opinionit, dhe jo Lidhja Demokratike e Kosovës” ka shtuar ai.

Sa i përket qëndrimit të shteteve të QUINT-it, Veliu ka thënë që çdo kush që lëkund raportet me SHBA-të dhe Evropën duhet të jap përgjegjësi, pasi sipas tij një gjë e tillë rrezikon të ardhmen e vendit.

“ Reagimi i shteteve të QUINT-it ishte shumë i ashpër. Dhe nëse punojmë kështu që të lëkundim raportet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, besoj që rrezikojmë të ardhmen e Kosovës. Duhet me dhënë llogari secili që kontribuon në prishjen e raporteve të Kosovës me prishjen e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” ka përfunduar nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Me 22 dhjetor të vitit 2017, partnerët e koalicionit qeverisës, PDK, AAK dhe NISMA, kishin tentuar që të zhbëjnë Gjykatën Speciale përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës, megjithatë një tentim i tillë u kundërshtuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, dhe gjithashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

01/16/2018 16:01

A e dini se Vlora Dumoshi ishte gruaja e këtij këngëtari të njohur?