Lajme

Agim Veliu nuk e rrëzoi Qeverinë Kurti: Tri arsye të forta që çuan në prishjen e “Koalicionit të Shpresës”

03/19/2020 13:39
nga:Adrian Çollaku

Shkruan: Adrian Çollaku

Kushdo që thotë se koalicioni qeverisës u prish për një deklaratë të Agim Veliut, i cili kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, mendoj që po mashtron.

Në fakt, janë tri çështje esenciale që çuan drejtë prishjes së koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

  1. Taksa 100%- që në esencë heqja e saj do të nenkuptonte edhe aktin final të nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë. E, natyrisht që për Albin Kurtin do të ishte barrë e madhe kjo marrëveshje menjëhere pas ardhjes në qeveri. Kreu i VV-së, nuk ishte i gatshëm që pas më shumë se një dekade rezistencë e “luftë” kundër negociatave me Serbinë, të hyjë direkt në bisedime për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
  2. Tërheqja e investitorëve amerikan për ndërtimin e “Kosoves së Re”- që u bë e ditur të martën, ndikoi shumë në rrëzimin e Qeverisë së re. Edhe pse tërheqja e “Contour Global” nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” nuk u bë shumë e madhe në opinion, tashmë dihet botërisht se prapa kësaj kompanie ishte qeveria amerikane.
  3. Faktori HTH (Hashim Thaçi)- i cili që nga rënia e Ramush Haradinajt nga pushteti, nuk ka lënë gurë pa lëvizur për t’u rifaktorizuar, sepse demarkacioni me Malin e Zi e kishte nxjerr tërësisht jashtë loje. Të qenit president pa PDK-në në pushtet, e bëri totalisht të pafuqishëm Thaçin, i cili ditë e natë punoi në rrëzimin e kësaj qeverie. Të vetmën armë të fortë që e kishte në dorë- ishte luftimi i taksës 100 % ndaj mallrave serbe, ku heqja e saj do ta fuqizonte edhe më shumë në aspektin ndërkombëtar, dhe do ta bënte kryefaktorin në negociatat me Serbinë, gjegjësisht në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

E tash, pas shkarkimit të Agim Veliut nga Albin Kurti, dhe paralajmërimi nga LDK për ngritjen e mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti, kush fitoi e kush humbi nga e tërë kjo situatë- do të varet komplet nga ajo se a do të ketë qeveri të re pa zgjedhje apo se a do të ketë zgjedhje të reja.

Nëse do të ketë qeveri të re, ku Lëvizja Vetëvendosje do të mbetej jashtë dhe eventualisht Partia Demokratike e Kosovës do të ishte brenda, LDK  e Isa Mustafës do të ndëshkohet rëndë në zgjedhjet e ardhshme. Besoj që LDK është shumë e vetëdijshme për këtë fakt. Dhe për më tepër, LDK të ketë telashe të brendshme, ku Vjosa Osmani, e cila ishte kandidate për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, me një grup deputetësh do të kundërshtonin fuqishëm hyrjen në një qeveri pa zgjedhje, e aq më shumë më PDK.

Duke e parë këtë situatë, Isa Mustafa dhe paria e LDK-së do të mundohen që të formojnë një qeveri eventuale me AAK-në, Nismën dhe me minoritetet. Nëse dështon ky ospion, atëherë do të vijë në shprehje një qeveri teknike.

Mirëpo, nëse shkohet në zgjedhje të reja, fituese do të dalë ajo parti- VV apo LDK, e cila do të dijë ta përdor më së miri “martesën” që pati jetë 44 ditore, gjegjësisht mënyrën se si u “shkurorëzuan” këto dy parti.

Derisa LDK si përparësi në zgjedhje do të përdorë afërsinë me Amerikën, Vetëvendosje do të mundohet që të fajësojë LDK-në se e pengoi Albin Kurtin ta luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke e lidhur kështu me afërsinë e Isa Mustafës me Hashim Thaçin dhe PAN-in.

03/31/2020 20:23

Albin Kurti e komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Jam befasuar me vendimin, por ne do ta respektojmë