BLIC.TV

Agim Çeku me rrëfim ekskluziv në “Blic Interview” për marrëveshjen e Kumanovës

06/14/2019 22:20
nga:Gazeta Blic

Ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Agim Çeku në emisionin “Blic Interiew me Astrit Gashin” ka folur për luftën e UÇK-së, marrëveshjen e Kumanovës, hyrjen e trupave ruse në tunelin e Goleshit afër Aeroportit, demilitarizimin e UÇK-së, transformimin e saj në TMK e deri të krijimin i ushtrisë së Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar.

Zëvendës ministri aktual i Mbrojtjes ka rrëfyer edhe për listat e veteranëve të UÇK e që për këtë ka një aktakuzë si kryetar i komisionit për verifikimin e ushtarëve.

Çeku ka treguar se më 12 qershor të vitit 1999 kur edhe përfundoi lufta në Kosovë ka qenë në malet e Berishës bashkë më disa ushtarë të UÇK-së. Sipas tij nuk ka përshkrim për ndjenjat për përfundimin e luftës në Kosovë dhe finalizimin e misionit që kishin para vetës UCK-ja, atë të çlirimit të Kosovës.

Ai në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin” prodhim i “Gazeta Blic” ka zbuluar ekskluzivisht se para nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës kishte informacione të sakta nga NATO se një marrëveshje e tillë do të nënshkruhet dhe me këtë edhe kapitullimi i Serbisë.

“Ishim në ngjarje tërë kohën si Shtab i Përgjithshëm kishim informacione të shumta dhe javët e fundit ishim në kontakt të vazhdueshëm më shtabin e NATO-së në Kumanovë, me gjeneralin Micheal Jackson dhe bashkëpunëtorët e tij, por atë natë që është nënshkruar marrëveshja me 9 qershor, pas orë 12 kanë ardhur në Shtabin e Përgjithshëm një ekip oficerësh, forcat speciale të Britanisë së Madhe, kanë ardhur me marrëveshje të shkruar, kanë dhënë detaje për përmbajtjen e marrëveshjes, kishim disa njohuri por jo detaje, për largimin e forcave serbe, për dinamikën e futjes së forcave të NATO -së në Kosovë”, tregon Çeku.

    #BLICINTERVIEW | I ftuar, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku