Lajme

Agim Bahtiri “përpinë” nga brenda LDK-në, nënshkruan marrëveshje koalicioni me 9 nëndegë të saj

11/14/2017 23:37
nga:Gazeta Blic

Kandidati i AKR-së pë kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, sonte nënshkruajti marrëveshje koalicioni me nëntë nëndegët kryesore të LDK-së, të cilat u zotuan se do ta përkrahin fuqishëm në garën e balotazhit më 19 nëntor.

Në marrëveshjen e koalicionit thuhet se AKR dhe nëndegët e LDK-së synim dhe qëllim primar e kanë fitoren e zgjedhjeve më 19 nëntor, duke e mbështetur Agim Bahtirin për kryetar komune. Kjo marrëveshje u arrit pa asnjë kushtëzim, por vetëm duke u bazuar në besim dhe vizion të përbashkët.

Ky vendim i nëndegëve të LDK-së vjen pas vendimit të Kryesisë së LDK-së të marrë të dielen, ku edhe mediat kishin raportuar se nëndegët e kanë kundërshtuar fuqishëm.

“Sonte ne nëntë nëndegët kryesore të LDK-së në Mitrovicë nënshkruam marrëveshje koalicioni, të cilat do më mbështesin fuqishëm më 19 nëntor në garën e balotazhit, ku do të arrijmë fitore madhështore. Unë kam thënë se gjithmonë do të jem me LDK-në e Ibrahim Rugovës dhe kjo u vërtetua edhe sonte. Pres që së shpejti të na bashkohen edhe nëndegë të tjera”, ka thënë kryetari Agim Bahtiri.

Koalicion me Agim Bahtirin sonte nënshkruan këto nëndegë të LDK-së:

1) Ilirida
2) Bairi
3) Ura e Gjakut
4) 2 Korriku
5) Kçiqi
6) Tuneli i parë dhe Zasella
7) Koshtova
8) Rashani, Mazhiqi dhe Tërstena
9) Bajgora