Lajme

Agim Bahtiri mbyll shisha-baret në Mitrovicë

08/10/2020 19:01
nga:N.K

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se sot në Shtabin Emergjent Komunal është marrë vendim që të mbyllen shisha-baret si dhe mbyllja e atyre lokaleve që nuk i përfillin masat anti-Covid.

“Në secilin lokal të gastronomisë inspektorët komunal të vendosin pikat për krijimin e distancës së duhur në mes tavolinave. Dhe në qoftë se nuk përfillet ky rregull nga ana e bizneseve, ato më nuk do të gjobiten, por do të mbyllen. Si dhe nga dita e sotme ndalohet përdorimi i shisha-bar në ato lokale të cilat kanë pajisje të tilla, pasi që konsiderohet rrezik potencial për infektim të të rinjve”, tha ai.

Po ashtu nga policia u kërkua të monitorojë dhe t’i mbajë nën kontroll të gjitha rastet e prekura me COVID-19, duke mos i lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre derisa të shërohen plotësisht.

Gjithashtu u ngrit si shqetësim ndaj IKSHPK-së lidhur me mos ri-testimin e personave të prekur me Covid-19, të cilët pas 14 ditësh konsiderohen si të shëruar pa ndonjë verifikim të duhur nga ana e institucioneve shëndetësore.

Ndërkaq, sa i përket rihapjes së çerdhes publike, u tha se në këtë drejtim janë bërë përgatitjet adekuate dhe se së shpejti parashihet hapja e tyre.