Lajme

Aftësimi profesional, mundësi bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë

12/06/2017 15:51
nga:A K

Në vizitën e tij në Turqi, sot Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica takoi Prefektin e Qytetit të Bursës, Izettin Küçük dhe Kryetarin e Bashkisë së Bursës, Alinur Aktash. Ministri u prit miqësisht nga zyrtarët më të lartë të këtij qyteti, i cili ishte një ndër qytetet industrialisht më të zhvilluara në Republikën e Turqisë.

Gjatë ditës së sotme, për t’u njoftuar më afër lidhur me aftësimin profesional, ministri Reçica vizitoi edhe Qendrën e Edukimit Profesional BUTGEM. Kjo qendër përfshinte në vete një numër të madh të profileve të aftësimit profesional dhe gjithashtu një përfshirje të larmishme të grup moshave, që marrin këto aftësime. Kjo qendër aftëson të rinj dhe të reja nga disa shtete të rajonit në profesione të ndryshme, duke freskuar planprogramet e aftësimit profesional me profesionet e kërkuara nga tregu i punës.

Ministri Reçica, duke vlerësuar lart të arriturat e qytetit të Bursës në përkrahjen e biznesit dhe vetë Qendrës së Edukimit Profesional, kërkoi mundësi bashkëpunimi, si në dërgimin e të rinjve për t’u aftësuar në këtë qendër, po ashtu edhe të shikohen mundësitë e investimit të ngjashëm në Kosovë. Ai theksoi se tashmë Qeveria e Kosovës është duke ndërmarrë hapa konkret për të krijuar kushte të volitshme për investitorët e huaj.

Në takimet e përbashkëta, ministri Reçica mori premtime se në të ardhmen e afërt mund të ndodhin investime në këtë drejtim.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që të krijojnë edhe më tej ura të komunikimit dhe bashkëpunimit për të kurorëzuar këto takime me veprime konkrete.

12/10/2017 22:59

Pse po vonohet Termocentrali “Kosova e Re”?