Opinion

Aftësi të kufizuara kam unë, ke ti dhe secili

Lorik JLorik J

Shkruan: Altina Marmullaku

“Hap sytë, shoh vetëm bardh. Prit, ndoshta ka përfunduar. Ndoshta në të vërtet kam ikur. Kthej kokën. Jam e rrethuar nga orenditë e dhomës. Më ikën buzëqeshja. Rri këtu, e shtrirë, duke pritur dikë që të vijë e të më bartë nga shtrati”.

Kështu i fillojnë ditët e tyre, me shpresën që herët a vonë kjo torturë do të përfundojë dikur.

Është e vërtetë, jeta nuk është veç lule, për asnjërin prej nesh. Por, dikujt i ofrohen gjembat më të fuqishëm; gjemba që të godasin më rëndë në jetë. Disa lindin kështu, të palëvizshëm, duke qenë gjithmonë… në pritje të dikujt.

Njerëzit lodhen, ankohen, por nuk e dinë se si është të rrish ulur pa pasur mundësinë që të hedhësh hapin e të çohesh në këmbë e të përqafosh më të dashurit e tu. Një tjetër e keqe me të cilën përballen është shikimi i keqardhjes së të tjerëve. Kjo të vret; të shpon thellë në zemër, athua se kanë zgjedhur këtë jetë!

Ua mbyllim dyert e arsimit, të punësimit e të zhvillimit profesional; u themi prisni se deri këtu mund të vini. Ke një diçka si ndryshe; diçka që të bën të dallohesh nga të tjerët, prandaj ëndrrat e tua nuk mund të realizohen. Nuk je i/e aftë për punësim e nuk je i/e aftë për arsim. Kështu, edhe një karrocë shtesë ata bartin – prej fjalëve të njerëzve. Sepse, po i shtypim, duke mos kuptuar që këta persona janë më të fuqishëm se ne, se janë më të fuqishëm se fjalët dhe paragjykimet tona.

Kemi harruar se secili prej nesh kemi aftësi të kufizuara: unë, ti e secili. Po harrojmë se secili prej nesh jemi qenie njerëzore e si të tillë jemi njerëz të talentuar, të patalentuar, të mirë, të këqij, të bukur, jo fort të bukur, të mëdhenj, të vegjël, të dijshëm, jo fort të dijshëm, xhelozë, jo xhelozë, në depresion, pa depresion, të dashur, të padashur, të varfër, të pasur, me flokë kaçurrela, pa flokë hiq… pra jemi të ngjashëm. Nuk mund t’i zgjedhim aftësitë apo paaftësitë e tona, ngjashëm sikurse nuk mund të zgjedhim gjërat me të cilat sfidohemi në jetë. Por, mund të zgjedhim që të mos i mbyllim sytë kundër padrejtësive që ndodhin ndaj njerëzve që meritojnë të realizojnë ëndrrat e tyre – në të njëjtën mënyrë siç mund t’i realizojmë secili prej nesh. Të mos bëhemi ne shkaktarë që këta persona ta ndiejnë vetën të padobishëm, duke mos i lejuar që t’i zbulojnë talentet brenda vetës.

Jeta rrallëherë shkon siç duam, mirëpo asnjëri nuk jemi qenie perfektë. Kemi momente kur rrëzohemi, e kjo nuk do të thotë se duhet të rrimë kështu. Për këtë arsye, nuk duhet të lejojmë shtypjen e ëndrrave të njerëzve, e t’ua ndërpresim rrugëtimin ende pa filluar.