Lajme

Afrim Spahiu thotë se fotografitë e tij të vendit ku është Ujmani sot mund t’i ndihmojnë ekspertët (VIDEO)

06/26/2021 00:24
nga:Gazeta Blic

Afrim Spahiu kishte realizuar disa fotografi të hapësirës ku gjendet sot Liqeni i Ujmanit e që atëherë nuk ishte mbushur akoma me ujë.

Ai, në Edicionin Special në Klan Kosova, ka treguar se pse i ka realizuar këto fotografi dhe detaje të tjera nga mbushja me ujë e kësaj pjese që kishte marrë goxha kohë.

“Ishte viti 1978 kur unë xhiroja një dokumentar për Kosova Filmin në cilësinë e operatorit të kamerës. Atmosfera e hapësirës ishte shumë frymëzuese, ngase ne kishim informata se do të ndryshojë ajo hapësirë duke u mbushur me ujë dhe përmbytur të gjitha ato fshatra – dy fshatra që s’kanë qenë shumë të mëdhenj – dhe pasurinë të një hotelerie. Ne bëmë ca xhirime në etapa të ndryshme duke pasqyruar edhe përmbytjen ose mbulimin me ujë të atyre shtëpive. Mbushja me ujë ka zgjatur shumë, ngase fuqia e ujit nuk ishte shumë e madhe. Për ne ishte atmosferë shumë e veçantë. Unë i bëra ca fotografi me një fotoaparat që në atë kohë ishte shumë i veçantë”.

Por, a beson Spahiu se këto fotografi të tij mund të kenë kontribut në raportin me rekomandime që e nxjerri Departamenti Amerikan për Energji për Liqenin e Ujmanit?

“Çdo dokument ose arsyeshmëri vizuele është ndihmesë, në çfarë sasie të fuqisë së saj atë e thonë ekspertët. Mendimi im është që këto fotografi mund të japin një kontribut, ngase janë edhe disa fotografi që janë bërë nga ajri ngase ne në konceptin teknik të realizimit të atij filmi dokumentar parashihnim që të bëjmë një skicë të përgjithshme të pamjes të asaj hapësire”.

Këto fotografi, të rralla sot, ishin pjesë e xhirimeve për një film dokumentar për Liqenin e Ujmanit i cili nuk u realizua kurrë për shkak të tensioneve që nisën mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Xhirimet të cilat kanë mbetur janë në arkivën në Beograd. Ne nuk kemi asgjë, ngase të gjitha materialet i ruanim atje për të bërë më pas editimin e filmit në laboratoret e Beogradit, sepse ne si shtëpi filmike në Kosovë nuk i kishim të gjitha kushtet”.

Afrim Spahiu ka shprehur gatishmëri që këto fotografi t’ua vë në dispozicion ekspertëve dhe atyre që duan të merren me këtë punë në mënyrë të detajuar.