Lajme

Afërdita Mikullovci zëvendëson Nehat Thaqin, emërohet Drejtoreshë Rajonale e Policisë në Mitrovicë

05/08/2018 20:51
nga:Gazeta Blic

Qeveria e Kosovës ditë më parë e ka emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaqin, i cili deri më tash ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e jugut. Thaqi sot e ka marrë vendimin, ndërsa nesër ia fillon punës.

Emërimi i Kolonel Nehat Thaqit në këtë detyrë mjaftë të rëndësishme, ka lënë të zbrazët pozitën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e jugut.

Burime të portalit Veriu.info nga Policia e Kosovës, bëjnë të ditur se sot pasdite U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Naim Rexha ka marrë vendim që në krye të kësaj detyre do të emërohet një person që e njeh shumë mirë situatën e sigurisë në rajonin e Mitrovicës.

“U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm i Polcisë, Naim Rexha, në dakordim me institucionet e sigurisë të Kosovës dhe me mbështetjen e ambasadatorëve të huaj, ka marrë vendim që Afërdita Mikullovcin ta emëroj drejtoreshë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e jugut. Ajo e njeh nga afër gjendjen në terren dhe ka një të kaluar të suksesshme në Policinë e Kosovës”, thotë burimi i Veriu.info nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, Afërdita Mikullovci deri më tash ka qenë zëvendëse e Nehat Thaqit, duke ushtruar kështu detyrën e zëvendësdrejtoreshës në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e jugut.

Afërdita Mikullovci ka raporte shumë të mira me ambasadorin amerikan në Kosovë dhe ka realizuar vizita profesionale në ShBA./Veriu.info.