Lajme

Adem Mikullovci e sheh të rrezikshme idenë e Hashim Thaçit, kjo është frika e madhe e tij

08/13/2018 11:50
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për idenë e Presidentit Hashim Thaçi për çështjen e korrigjimit të kufijve për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

Mikullovci është shprehur tejet i frikësuar nga ideja e presidentit, madje e cilëson atë si shumë të rrezikshme.

Ai thotë se ka frikë mos kjo marrëveshje është dhënë nga amerikanët dhe tashmë është e kryer e Thaçi vetëm duhet ta nënshkruaj.

“E ndjejë dhe e shoh si shumë të rrezikshme dhe shumë të dhimbshme, jam duke u frikësuar më shumë se kurrë në jetë. Unë e kam një frikë se mos kjo është një lojë apo vendim i amerikanëve dhe Parlamentit Evropian e e kanë shtyrë Hashimin me Kryetarin e Serbisë”, ka thënë Mikullovci.

Deputeti i Vetëvendosjes ka kritikuar Presidentin duke thënë se njeriu normal nuk vepron kështu siç po bën ai krye në vete.

“Unë kam frikë se ndërkombëtarët do të na sjellin marrëveshjen sikur kur është bërë aso kohe marrëveshja mes Serbisë, Bosnjës dhe Kroacisë, po kam frikë mos po na vijnë ngjarjet e kryera e që pastaj nuk kemi qare pa i pranuar. Jam thellësisht i frikësuar, këta që është duke e bërë Hashimi njeriu normal nuk e bën, njeriu as për shtëpi të vet nuk mundet me vendos vet”, ka deklaruar ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë idenë e ndarjes së vendit në bazë të vijave etnike për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Serbinë.
Në një intervistë për The Associated Press, Thaçi tha se ai ishte i hapur për të diskutuar “një korrigjim” të kufijve gjatë negociatave paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkesa e Serbisë për një ndarje të Kosovës nuk do të jetë e suksesshme. Është e papranueshme, shtoi ai.

Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar persekutimin e përgjakshëm të forcave serbe ndaj separatistëve shqiptarë në Kosovë. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe njihet si shtet i pavarur nga më shumë se 100 vende, por jo nga Serbia.

Tensionet vazhdojnë të mbeten të larta edhe pas shtatë vitesh negociata, edhe pse BE-ja ua ka bërë të qartë qeverive në Prishtinë dhe Beograd, se ata duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të antarësohen në BE.

Disa zyrtarë të qeverisë serbe kanë sugjeruar se një zgjidhje e mundshme mund të jetë një shkëmbim territoresh, ku banojnë pakicat etnike serbe dhe shqiptare – rajoni i Mitrovicës veriore në Kosovë dhe rajoni i Luginës së Preshevës në Serbi.

Thaçi tha se nuk do të ketë “ndarje por korrigjim të kufijve”, mundësisht duke e përfshirë Luginën e Preshevës. Ai nuk tha nëse kjo nënkuptonte një shkëmbim me Mitrovicën e veriut, ku jetojnë shumica e serbëve të Kosovës.

Presidenti ishte i bindur se negociatat me Serbinë, nën udhëheqjen e BE dhe të vëzhguara nga afër edhe nga Shtetet e Bashkuara, do të rezultonin së shpejti me një njohje dypalëshe.

“Nëse korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke arrihen, nëse një marrëveshje e tillë është e balancuar dhe bilaterale, kjo do të ishte një fitore e favorshme për të dyja palët, ku të gjithë do të pajtoheshin”, shtoi Thaçi.
Ky version është korrigjuar për të treguar se disa zyrtarë të qeverisë serbe kanë sugjeruar një shkëmbim territoresh me Kosovën dhe jo qeveria serbe zyrtarisht.

/GazetaBlic/

09/20/2020 14:44

‘Ora 5 shkoj dita’, Teuta Krasniqi rrëfen vullnetin e Adem Mikullovcit për punë në aktrim