Lajme

Abetarja e unifikuar ende jashtë përdorimit

11/22/2022 18:30
nga:G B

Abetarja e unifikuar do të përdoret edhe në Maqedoninë e Veriut, por vetëm pasi të jenë modifikuar programet mësimore për nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës pasi vendimi për abetaren që tashmë përdoret në Shqipëri dhe Kosovë, ka marrë miratimin e institucioneve përkatëse, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Entit Pedagogjik.

Abetarja e unifikuar është prezantuar në shtator duke shënuar futjen në përdorim në sistemin arsimor në Shqipëri dhe Kosovë, pasi në dhjetor të vitit 2021 kishte përfunduar hartimi i saj në bashkëpunim mes ekspertëve të të dyja shteteve.

“Kemi angazhuar të gjithë personat përgjegjës në ministri për të gjetur mundësinë dhe për t’u furnizuar me këtë lloj të abetares. Me lejen që është dhënë nga Byroja e Zhvillimit dhe me miratimit e Entit Pedagogjik pranë Ministrisë, është marrë vendimi që abetarja të jetë pjesë e programit mësimor në të gjitha shkollat fillore në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Ai tha se shkollat do të pajisen me abetaren e unifikuar pas konsultimeve në nivel të ekspertëve të arsimit lidhur me programin mësimor, përkatësisht të orëve mësimore që të mos ketë ngecje në krahasim me Shqipërinë dhe Kosovën.

Shkollat akoma nuk janë furnizuar me abetaren e unifikuar dhe kjo pritet të ndodhë nga viti i ardhshëm mësimor, ndërsa në periudhën deri atëherë do të merren parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet.

Sipas ekspertëve, abetarja është hartuar bazuar në 15 metoda që synojnë nxitjen e aftësisë së të shkruarit dhe të menduarit kritik te nxënësit.

Profesori i Pedagogjisë në Universitetin e Shkupit, Xheladin Murati, thotë se futja në përdorim e abetares së unifikuar kërkon një studim të detajuar pasi Maqedonia e Veriut dallon nga Shqipëria dhe Kosova sa i përket orëve të mësimit të gjuhës shqipe.

“Në klasë të parë, sipas planit mësimor, gjuha shqipe mësohet në pesë orë në javë, kurse në Shqipëri në klasë të parë gjuha shqipe mësohet në nëntë orë mësimore. Ky tekst në këtë formë, te ne e vështirëson punën e mësuesit, sepse me pesë orë mësim, mësuesit duhet të paktën me abetaren të punojë tre deri në katër orë dhe ai nuk do të ketë kohë për aktivitete tjera”.

“Prandaj, ka nevojë për një sqarim se si të përdoret ajo, apo si të bëhet racionalizimi i përmbajtjeve mësimore. Konsideroj se ka nevojë për një rishqyrtim për një qasje tjetër metodologjike dhe konkretizim metodik dhe didaktik për përdorimin e saj në shkolla”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori Murati.

Abetarja e unifikuar ka rëndësi të madhe në mësimin e shkrim-leximit përmes metodave më të avancuara, por edhe njohjen e fëmijëve me të gjitha trevat etnike, thotë profesori i gjuhës shqipe, Avzi Mustafa.

Por, sipas tij, me rëndësi të madhe është edhe nevoja që mësimdhënësit të punojnë shumë më tepër me nxënësit në përdorimin e gjuhës letrare.

“Kjo është shumë me rëndësi sepse nxënësi është shëmbëlltyrë e mësuesit pasi siç flet mësimdhënësi, ai mundohet të përvetësojë në çdo mënyrë. Por, edhe ata[mësuesit] nuk mbajnë shumë llogari apo nuk kanë shumë kujdes ndaj gjuhës shqipe dhe në shkrim qëndrojnë pak më mirë se në të folurit”.

“Unë nuk jam i kënaqur për gjendjen në të cilën ndodhet gjuha shqipe dhe pres që të kihet më shumë kujdes dhe të formohet një komision jo vetëm se si zbatohet gjuha, por edhe si realizohet pasi në këtë kohë të globalizimit nuk ka mjet për të mbrojtur gjuhën amtare përveç shkollës. Prandaj, mendoj se duhet të ketë një numër sa më të madh të orëve për përvetësimin e gjuhës dhe të kemi abetaren e përbashkët për të cilën unë jam ithtar i kamotshëm”, thotë Mustafa.

Në Maqedoninë e Veriut, të martën është shënuar 22 Nëntori i vitit 1908, Dita e themelimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në qytetin e Manastirit.

Në Maqedoninë e Veriut, 22 nëntori është ditë jo pune për shqiptarët, edhe pse gjuha shqipe në Kushtetutën e këtij vendi është e definuar si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë dymilionëshe. (Rel)