Në 80-vjetorin e lindjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Lumir Abdixhiku vizitoi zonjën Fana dhe familjen Rugova, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit, profesor Alush Gashi dhe profesor Muhamet Hamiti, raporton GazetaBlic.
Abdixhiku theksoi se Presidenti Rugova “ka vetëm ditëlindje,” duke e cilësuar si shqiptarin më të madh të kohërave, dhe veprën e tij si një histori të paarritshme dhe një dritë udhërrëfyese për të ardhmen e Kosovës.
E plotë:
Në 80 vjetorin e lindjes së Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, vizitova zonjën Fana dhe familjen Rugova.
Vizitën e bëra i shoqëruar me udhëtarët e bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit; udhëtarë e bashkëpunëtorë të mi edhe sot, profesor Alush Gashin dhe profesor Muhamet Hamitin.
Në traditën tashmë të përvjetme të shënimit të kësaj ditëlindjeje, zonja Fana kishte përgatitur ëmbëlsirën Tiramisu, të preferuarën e Presidentit; të shijuar për herë të parë në Romë.
Presidenti ka vetëm ditëlindje!
80 vite më parë, lindi shqiptari më i madh i kohërave. Pjesa tjetër është një histori e paarritshme, e papërsëritshme.
Ajo na qëndron sot si dritë udhërrëfyese për të bërë të ardhmen!