Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abidxhiku, ka prezantuar projektin për ndërtimin e pesë stadiumeve rajonale në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj, si pjesë e programit të tij politik, raporton GazetaBlic.
Stadiumet, me kapacitet 6000-7000 ulëse dhe të kategorisë UEFA 3 dhe 4, do të financohen nga Qeveria Qendrore dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e infrastrukturës sportive të Kosovës.
Abidxhiku theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për t’i dhënë Kosovës një imazh më modern dhe për të nxjerrë vendin nga stagnimi.
“Kosova ka nevojë për ndryshim rrënjësor!” deklaroi ai.
Postimi i plotë:
Në këtë të diel të sportit, të futbollit ⚽️, më lejoni të ju flas për 5 stadiumet rajonale, që i kemi prezantuar si koncept ide tashmë para investitorëve potencial, pjesë e programit tonë politik tashmë të zotuar publikisht.
Në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, do të ndërtohen stadiumet e reja rajonale, të kategorisë së UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet 6000 deri në 7000 ulëse. Kosto e një stadiumi të tillë është rreth 12 milionë euro; financim i Qeverisë Qendrore. Këto pesë stadiume rajonale, së bashku me Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, e Stadiumin e Ri Kombëtar me 30 mijë ulëse, do të kompletojnë mozaikun e peisazhit modern futbollistik në Republikën tonë – në të 7 regjionet tona.
Kosova duhet të ketë ambicie të mëdha. Aso që e ngritë vendin tonë përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike ku jemi sot. Kosova ka nevojë për transformim rrënjësor që na nxjerrë nga epiteti i ‘të fundit në Evropë’! Kosova ka nevojë për ndryshim dhe atë rrënjësor!
Këto janë zotimet tona!
Këto ne do t’i bëjmë!