Lajme

Abdixhiku përkujton masakrën e Krushës së Madhe: Ky krim tronditi botën, liria që gëzojmë sot ka një çmim të lartë

1 ditë më parë
nga:G C

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujton masakrën e Krushës së Madhe, në 26 vjetorin e saj.

Ai thotë se 25 marsi i vitit 1999 mbetet një nga ditët më tragjike dhe më të dhimbshme në historinë e Kosovës.

“26 vite më parë, ndodhi masakra ndër më të mëdhatë në Kosovë, ku forcat e regjimit të Millosheviçit vranë e masakruan 243 burra, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm, duke lënë kështu plagë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe ndërgjegjen tonë kolektive”.

Siç shkruan Abdixhiku, ky krim tronditi botën dhe mobilizoi diplomacinë ndërkombëtare për të ndalur spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë.

“Por për familjet e atyre që u masakruan, dhimbja nuk është ndalur kurrë. Shumë prej tyre ende presin të mësojnë për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur, duke kërkuar drejtësi dhe të vërtetën që nuk duhet të mbetet e heshtur.

Liria që gëzojmë sot ka një çmim të lartë – atë të sakrificës së atyre që nuk jetuan për ta parë. Prandaj, përkujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë dhe u përulemi përjetësisht atyre që ranë për lirinë e Kosovës, si dhe angazhohemi që e vërteta dhe drejtësia të mos harrohen asnjëherë. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, thotë më tej.