Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se Kosova po futet në një situatë shqetësuese dhe tepër të paqartë, kjo si shkak i verimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti.
Sipas tij, shqetësuese është edhe mosgatishmëria e Kurtit që të koordinohet me aleatët.
Ai madje tha se Kosova mund të ketë edhe pasoja të tjera nga ShBA-ja, BE-ja e NATO.
Abdixhiku shpreson që Kurti të reflektojë, ndërsa i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të jetë “më e qartë dhe më e zëshme në këtë moment kritik për Kosovën”.
“Gjendje e paparë për ne në këto 33 vite përpjekje për liri, pavarësi dhe demokraci. Po futemi në një situatë tepër shqetësuese për Republikën dhe për më tepër të paqartë.Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit për dakordim me aleatët tanë. Në këtë fazë, Kosovës i mbetet t’i shoh pasojat që mund t’i vijnë nga vlerësim i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja. Një gjendje të tillë si LDK e kemi të vështirë ta pranojmë, veprimet tona do të jenë publike, por në të njëjtën kohë ne shpresojmë që ju media ta transmetoni sa më qartë këtë gjendje, si gjendje e paparë deri më tani. Unë shpresoj që ai të reflektojë dhe sërish i bëj thirrje presidentes të jetë më e qartë, më e zëshme, në këtë moment kritik për Kosovën”, tha Abdixhiku.