Lidhja Demokratike e Kosovës, në Istog, mbajti sot një tubim madhështor, ku të pranishëm ishin kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kandidati për kryetar të komunës, Ilir Ferati, bashkë me anëtarë, struktura, simpatizantë si dhe qytetarë të kësaj komune.
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se jo rastësisht e kemi lënë takimin e fundit në Istog, ngaqë, sipas tij, njerëzit sillen gjithandej, punojnë gjithandej, takojnë shumë por në fund përfundojnë në shtëpi.
Abdixhiku, më tej, nënvizoi se në Istog e ndjejnë vërtetë peshën e dardanëve të Rugovës dhe peshën e fitores.
“Ne punuam fort, takuam shumë qytetarë, ringritëm struktura, u ngritëm në këmbë. Nga Llapi në Anamoravë, nga Fusha e Kosovës në Anadrin, nga Bjeshkët e Sharrit në ato të Shalës, nga Prishtina erdhëm në fund shtëpi. Në Istog, në qytetin e bukur të Dukagjinit, në vendlindjen e prijësit të shqiptarëve, themeluesit të LDK-së, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova”, tha Abdixhiku.