Zgjedhjet lokale të 17 tetorit po afrohen, ndërsa ajo që po u bie në sy veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Podujevë, është aktiviteti dhe përkushtimi maksimal i kryetarit Abdixhiku në Llap.
Këta veprimtarë, thonë se prezenca e shpeshtë e kryetarit Abdixhiku në këtë komunë, dhe mbështetja e parezervë që po ia jep kandidatit për kryetar, Dr. Ekrem Hyseni, është diçka tepër e mirë dhe duhet përshëndetur.
“Kudo që po shkoj në aktivitete elektorale, aty po e shoh edhe kryetarin Abdixhiku, gati në çdo cep e në çdo derë të Llapit”, tha njëri nga veprimtarët.
Ndërsa, ditë më parë, përderisa Abdixhiku realizonte një takim me të rinjtë e kësaj ane, njëri nga ta e pyeti se si e komenton prezencën e tij të shpeshtë në komunën e Podujevës, me ç‘rast i riu kishte shtuar se është shumë i kënaqur për një gjë të tillë.
“Po, ke të drejtë. Kam ardhur shpesh dhe të premtoj se do të vij edhe më shpesh, ngase është kënaqësi të qëndrosh në zemër të shtëpisë sonë, në zemër të LDK-së, në Podujevë, pra arsyeja jeni vet ju, për çka edhe ju falënderoj shumë”, i ishte përgjigjur Abdixhiku të riut.
Më tej, Abdixhiku kishte thënë se, me LDK-në e rikthyer në pozitën e saj origjinale – si e para në Podujevë, natyrshëm kthehen edhe mundësitë për të gjithë e për zhvillimin të përgjithshëm të komunës.
Siç shihet, Abdixhiku po e mban fjalën e dhënë ndaj të riut, ngaqë atë po e shohin gati në çdo cep e në çdo derë të Llapit.