Lajme

Abazoviç propozon krijimin e një qeverie të pakicës

01/17/2022 15:45
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që garuan në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura vitin e kaluar në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, propozuar formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.

Sipas këtij modeli të propozuar, në këtë qeveri nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.

Qeveria aktuale e kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, që nga fillimi i mandatit ka qenë në shënjestër të kritikave dhe pengesave nga strukturat e shumicës qeveritare, në radhë të parë nga Fronti Demokratik, i cili në disa raste ka kërkuar që të zgjidhet një qeveri i ri.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq tha në një konferencë për media se të gjithë deputetët e Parlamentit malazez duhet të përkrahin modelin e një qeverie të pakicës. Ai porositi që për DPS-në dhe DF-në nuk ka vend në këtë qeveri, por “do të ishte fenomenale nëse do të na përkrahnin”.

“Ne ofrojmë një zgjidhje të mundshme, por nuk e imponojmë. Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviq.

Ai shtoi se në rast se sigurohet mbështetja e shumicës në Kuvend, do të iniciohet mocioni i votëbesimit të Qeverisë aktuale.

Ideja për formimin e një Qeverie të pakicës u përmend për herë të parë në vjeshtën e kaluar pasi që dështuan negociatat për riorganizimin e Qeverisë dhe një platformë e ofruar nga DF, që parashikonte zgjedhjen e një kryeministri të ri.

Në nëntor të vitit 2021, lideri i partisë opozitare Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj kishte thënë se në Mal të Zi do të duhej të formohej një qeveri e pakicës.

Sipas propozimit të Gjeloshajt, në qeveri do të hynin partitë parlamentare nacionale dhe një pjesë e partive qytetare, të udhëhequra nga Lëvizja Qytetare Ura, e cila është në pushtet, ndërsa kryeministër do të duhej të ishte lideri i tyre, Dritan Abazoviq.

Ky propozim nga kryeministri Krivokapiq ishte vlerësuar si veprim “i rrezikshëm”.

Ndërkaq, në dhjetor, partitë opozitare hoqën dorë nga ngritja e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit për arsye se Fronti Demokratik kishte paralajmëruar se do të dorëzonte iniciativën për shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Qeveria e Krivokapiqit u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, Lëvizjes Ura dhe Demokratëve, të cilët në gusht 2020 fituan zgjedhjet me çka Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit, Millo Gjukanoviqit pas tre dekadash kaloi në opozitë.rel