Lajme

Abazi për dorëheqjet e katër kryetarëve- Është vetëm farsë e radhës e serbëve

11/27/2018 15:00
nga:A. R.

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri, janë vetëm një farsë e radhës. Dhe ky veprim i kryetarëve serb tregon qartazi se kush i kontrollon ata. Kështu vlerëson njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi për Gazeta Blic.

Ai theksoi se këto komuna në veri nuk kanë qenë as duke vepruar përbrenda kornizës institucionale.

“Dorëheqja e kryetarëve të Komunave është farsë e radhës e serbëve, këto komuna nuk kanë qenë edhe ashtu duke vepruar përbrenda kornizës institucionale. Lista Srpska është larguar edhe nga Qeveria por vazhdon të marrë pagat dhe të përfitojë nga buxheti i Kosovës. Veprimi i kryetarëve të Komunave serbe tregon se kush i ka në kontroll, më këtë vetëm kanë vërtetuar se lojaliteti i tyre është për Serbinë dhe jo për shtetin e Kosovës, gjë që është shumë mirë e ditur”, thotë Abazi.

Më tej, Abazi shton se pas dorëheqjes që kanë dhënë kryetarët e komunave në veri,  atje duket shpallur zgjedhjet e reja, ashtu siç e parasheh ligji.

“Kryetarët e Komunave janë pjesëtarë të Listës Srpska të krijuar nga dialogu dhe ata janë sabotuesit e shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Ka ligj të qartë se çka duhet bërë në rast të dorëheqjes apo moskryerjes së funksioneve, atje duhet shpallur zgjedhjet e reja për kryetar komune sipas afateve ligjore. Është e drejtë e secilit të veprojë si të dojë por shteti duhet siguruar kushte për funksionim”.

Duke folur më tej rreth kësaj çështje, Abazi shtoi se Kosova ka humbur mjaft shumë duke toleruar veprimet e shteti serb andaj tash është koha që Serbia të paguajë për të gjitha veprimet që ka bërë.

“Shteti i Kosovës është sfiduar në vazhdimësi në veri dhe kjo tani është e qartë nëse Serbia vazhdon të bëjë një gjë të tillë, atëherë duhet ekspozuar edhe sigurisht që e ngadalëson integrimin e vet në Bashkimin Evropian dhe si rrjedhojë edhe ndalimin e ndihmës financiare. Kosova ka humbur mjaft që 20 vjet duke toleruar veprime dhe sabotime të Serbisë edhe brenda edhe jashtë duke i bllokuar dhe lobuar kundër Kosovës. Tani është radha që Serbia përveç se duhet paguar për atë që ka bërë gjatë luftës në Kosovës duhet të paguajë edhe çmimin e sjelljes në mënyrë fashiste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi”, shton më tej Abazi.

Si përfundim, Abazi theksoi që karvani i shqiptarëve duhet vazhduar dhe nuk duhet te merret me taktikat e Serbisë, dhe që fati i shumicës shqiptare nuk mund të mbahet peng për shkak të 5% të popullatës serbe e cila është e manipuluar nga Beogradi.

“Porosia ime është që karvani i shqiptarëve duhet vazhduar dhe sa më pak duhet të merremi me taktikat e ndyta të Serbisë. Nëse serbët e Kosovës duan që të jenë pjesë integrale dhe të veprojnë përbrenda institucioneve dhe jetës së Republikës së Kosovës, këto të drejta i kanë të garantuara me standard evropian por Kosova dhe fati i shumicës shqiptare nuk mund të mbahet peng për shkak të 5% të popullatës së manipuluar nga Beogradi në vazhdimësi”, ka përfunduar Abazi.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme katër kryetarët e komunave veriore me shumicës serbe kanë mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme që është shoqëruar me dorëheqjen e katër kryetarëve.

Përveç dorëheqjeve,  asamblistët e katër komunave të cilët ishin të pranishëm në këtë mbledhje kanë nënshkruar një rezolutë sipas të cilës kërkohet ndërprerja e të gjitha kontakteve me Prishtinën zyrtare./Gazeta Blic./

 

04/05/2020 17:04

Haki Abazi: Veriu është i ndarë shkaku i Thaçit