Lajme

AAK nuk e pranon sondazhin e KDI-së, thonë që kanë shtatë komuna të fituara

09/13/2018 22:18
nga:M H

Për AAK-në, rezultatet e sondazhit të Institutit Demokratik të Kosovës, nuk janë të pranueshme. Në sondazhin e realizuar nga KDI, se cila do të ishte partia që qytetarët do të votonin nëse zgjedhjet mbahen këtë të diele, Aleanca është radhitur partia e fundit e cila do ta kalonte pragun.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, për ‘Gazeta Blic’, ka komentuar këtë rezultat jo të mirë të nxjerrur nga KDI.

“AAK është parti e strukturuar dhe ka shtrirje në të gjithë Republikën e Kosovës, posedon me degë dhe me nëndegë të fuqishme. Dhe, në zgjedhjet lokale Aleanca ka fituar, është partia e dytë me komuna të fituara, pra kemi shtatë komuna dhe kemi kaluar procesin zgjedhor ashtu siç partia ka paraparë. Degët janë konsoliduara zgjedhjet janë mbajte prej degëve dhe nëndegëve , dhe unë mendoj se me gjithë këtë punë të Qeverisë dhe rezultatet në terren, rezultatet e KDI nuk përkojnë me Aleancën”, deklaroi Time Kadrijaj për ‘Gazeta Blic’.

Në fotografi: Time Kadrijaj

Ndryshe, sipas rezultateve të Institutit Demokratik nëse do të mbaheshin zgjedhjet këtë të diele, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ishte e para.

23.8 përqind e elektoratit do të votonin për LDK-në.

Në vendin e dytë është radhitur PDK me 18.4 përqind të votave ndërsa Vetëvendosje e treta me 16.6 përqind.

AAK është partia e fundit e cila do ta kalonte pragun prej 5 përqind të votave për të marrë ulëse në Kuvend. Vetëm 8.8 përqind e votuesve do të votonin për partinë e cila aktualisht drejton qeverinë e Kosovës.

NISMA Social Demokrate është vetëm pak nën pragun e kërkuar me 4.9 përqind ndërsa PSD ka marrë 2 përqind të votave të respondentëve duke lënë mbrapa AKR-në me 1.7 përqind dhe Alternativën me 0.6 përqind.

Për Listën Serbe janë deklaruar 4.1 përqind të respondentëve./Gazeta Blic./

09/17/2018 18:26

Reagon Time Kadrijaj këto janë fjalët e saj për Elez Blakajn!