Lajme

A po krijohen kushte për rifillim të dialogut Kosovë-Serbi ?

01/25/2020 10:51
nga:Norë Kelmendi

Ani pse dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur që nga vjeshta e vitit 2018, një marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd është nënshkruar ditë më parë në ambasadën amerikane në Berlin, me iniciativë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo në një formë po shihet si rifillim i bisedimeve mes dy shteteve.

Pas fushatës së ashpër lobuese kundër Kosovës në diplomacinë e jashtme, të zhvilluar vazhdimisht nga Serbia, në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj i vendosën taksë 100% mallrave serbe. Kjo u bë si kundërpërgjigje për veprimet e pushtetit kriminal të Serbisë që jo vetëm e mohon gjenocidin por edhe po lobon te shtetet që të tërheqin njohjet për Kosovën, e në të njëjtën kohë pengonte vendin tonë drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Që nga ajo kohë janë ndërprerë bisedimet, meqë Serbia kishte deklaruar se nuk e vazhdon dialogun derisa taksa mbetet në fuqi.

Por një ndërhyrje amerikane, bëri që të nënshkruhet një marrëveshje për lindjen ajrore Prishtinë-Beograd, e që po shihet sinjal për rifillim të dialogut.

Analisti Rasim Alija në një deklaratë për KosovaPress, këtë e sheh si mundësi për rifillim të dialogut, veçse problematike e konsideron çështjen e formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Sipas tij, krijimi i institucioneve do të zgjidhte bllokadën në çështjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ka sinjale për një rifillim të mundshëm të dialogut, vet vizita e zotit Grenell në Kosovë, takimet me presidentin e Republikës së Kosovës dhe marrëveshja e arritur lidhur me linjën ajrore, tregon për sinjale pozitive të rifillimit të dialogut. Ajo çfarë është goxha e komplikuar dhe shihet si problematike, është krijimi i Qeverisë në Republikën e Kosovës. Kjo do të mund të zgjidhte një nyje sa i përket rifillimit të dialogut. Mbi të gjitha, ende skena politike në Kosovë, edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike, edhe opozita, janë të paqarta rreth pozicioneve të tyre lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Alija.

Sipas tij, partitë politike në Kosovë nuk kanë ndonjë platformë si t’i qasen dialogut me Serbinë.

“Kjo mund të jetë goxha e komplikuar dhe për vet rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi, sepse mund t’i lë terren presidentit që ai të jetë në krye të dialogut Kosovë-Serbi, përderisa në vend LDK dhe LVV po tentojnë të arrijnë koalicionin, zoti Thaçi veç ka filluar një fushatë lidhur me dialogun. Takimet e tij, edhe takimet me zotin Grenell, edhe pjesëmarrja në konferenca të caktuara shihet si forcim i pozitës së presidentit në aspektin e dialogut Kosovë-Serbi”, thotë ai.

Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për KosovaPress, se dialogu me Serbinë praktikisht ka rifilluar.

“Përkundër deklarimeve, veçanërisht nga pala serbe se dialogu nuk do të vazhdojë pa heqjen apo pezullimin e taksës ndaj mallrave të tyre dhe të Bosnje Hercegovinës, tashmë kemi parë praktikisht që dialogu veçse ka rifilluar ndonëse lidhur me çështje edhe në përmasa më të vogla se sa që është pritë. Ndërhyrja amerikane në këtë drejtim, dhe involvimi i tyre i drejtpërdrejtë në arritjen e marrëveshjeve në mes të dy vendeve është impuls tejet pozitiv për procesin e dialogut, duke qenë se nëse merret parasysh nënshkrimi i marrëveshjes së fundit me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell në Berlin, atëherë është më se evidente që kjo marrëveshje është negociuar nga dy qeveritë”, thotë Cakolli.

Sipas tij, kushtet për rifillim të dialogut veç janë krijuar, ani pse kërkesë e Serbisë mbetët heqja e taksës 100%.

Ai shton se formimi i institucioneve të Kosovës është tejet i rëndësishëm për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Me krijimin e qeverisë do të krijoheshin të gjitha kushtet për vazhdimin e dialogut, dhe duke i marrë parasysh deklarimet e këtyre dy subjekteve politike, atëherë pres që taksa të hiqet posa të krijohet qeveria që do t’i hapte rrugë si veprim edhe vazhdimit të procesit të dialogut dhe diskutimeve për çështje të ndryshme në të cilat tashmë është vetëm qeveria në dorëheqje dhe në raste të tjera edhe presidenti si i vetmi institucion apo mandatar kushtetues për të zhvilluar negociata duke qenë se institucionet e tjera nuk është se janë tërësisht funksionale”, thotë ai.

Sipas tij, ka edhe një ndryshim të qasjes amerikane sa i përket procesit të dialogut, të cilët siç thotë ai, janë duke synuar që të fusin edhe elementin e zhvillimit ekonomik si një prej aduteve që duhet ta ketë ky proces në mënyrë që të garantohet sukseshmëria e kësaj marrëveshje.

Ndërsa, Ariana Qosaj njohëse e rrethanave aktuale në vend, thotë se pa formimin e qeverisë së re të Kosovës nuk mund të ketë vazhdim të dialogut.

“Duhet të ketë gjithëpërfshirje për arsye se e marrim shembull ketë marrëveshjen për linjën ajrore, e cila në fakt pati një përkrahje prej presidentit dhe kryeministrit në largim, mirëpo në anën tjetër kjo nuk është marrëveshje e cila duhet të votohet në Kuvend domosdoshmërisht, edhe pse flet për hapësirë ajrore. Por në anën tjetër ne në marrëveshje me Serbinë e cila duhet të jetë afatgjate, do të duhej të kishte gjithëpërfshirje, sepse duhet ta ketë së paku dy të tretën e shumicës së votave në Kuvend, dhe pa atë gjithëpërfshirje nuk mund të kemi lëvizje përpara”.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se kishte biseduar me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me të cilin tha se janë pajtuar rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare që nënkupton njohje reciproke.

Ndërsa gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd ka qëndruar përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Grenell ka deklaruar se Serbia duhet ta ndalë fushatën e egër kundër pavarësisë së Kosovës, dhe Kosova duhet të heq taksën.

03/05/2020 10:34

Vuçiq thotë se nuk preferon “konflikt të ngrirë” me Kosovën