Lajme

A po e fiton Kosova betejën me koronavirusin? Vetëm dje asnjë i infektuar!

05/25/2020 07:08
nga:Norë Kelmendi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se mbrëmë asnjë person nuk ka rezultuar i infektuar me Covid-19.

Ai tutje ka njoftuar se sot janë realizuar 138 testime të qytetarëve porse të gjithë kanë rezultuar negativë.

“Sot pra me 24 maj është dita e parë pas 13 marsit, kur rezultuan rastet e para me COVID-19, ku nuk rezulton asnjë i infektuar nga testimi. Forca e madhe e vullnetit tuaj vajza e djem, burra e gra, mjeke e mjekë, infermiere e infermierë, policë e police, inspektore e inspektorë, e bëri të mundur këtë rezultat. Kordinimi me Kryetarët e Komunave dhe degëve të Institutit e laboratorit, përkushtimi i vullnetarëve dhe vigjilenca e Klinikës infektive në trajtimin e rasteve e vendos Republikën e Kosovës në një situatë shpresëdhënëse përballë virusit”, ka thënë ai.

Sipas tij, distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që të fitohet kjo betejë.

“Çdo shkujdesje, shpërqendrim apo relaksim dhe kthim në zakonet si para virusit mund të na kushton, madje edhe rëndë. Në anën tjetër për këta muaj, përmes fondeve të Qeverisë, ndihmës nga miqtë tanë, diasporës e shumë organizatave kemi siguruar dhe po sigurojmë mjete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për mbrojtje dhe rritje të kapaciteteve tona. Vepruam bashkë dhe po fitojmë bashkë. Të vazhdojmë të kujdesemi bashkë”, ka shkruar ai.

Deri tash në Kosovë janë konfirmuar 1032 persona me koronavirus, 785 prej tyre janë shëruar kurse 29 kanë vdekur.

Ndërkaq IKSHP ka njoftuar se sot janë shëruar 4 persona dhe deri më sot numri i përgjithshëm i të shëruarve është 789 raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 24 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.262 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.

Ata edhe më tutje kanë bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Që nga 13 marsi ku u konfirmuan dy rastet e para me Covid-19, sot është dita e parë që asnjë person nuk është konfirmuar me koronavirus.

06/21/2020 23:34

Rritja enorme e numrit të rasteve me Covid- 19, Lul Raka vjen me paralajmërimin e radhës