Lajme

A ka rrezik për sulme të reja nga Serbia?- Kështu përgjigjet ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni!

01/17/2024 12:06
nga:Y I

Nënkryetari i LDK-së njëherësh anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Anton Çuni, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me paralajmërimet për sulme në veri të vendit.

Çuni, i cili ka mbajtur edhe pozicionin e Ministrit të Mbrojtjes, tha se referuar organizatave të specializuara të cilat e përcjellin gjendjen gjithnjë ekziston një nivel i lartë dhe i mundshëm i rrezikimit të jetës së qytetarëve të Kosovës nga formacionet e vogla paramilitare prapa të cilave qëndron vetë shteti i Serbisë.

“Unë më shumë i referohem analizave dhe studimeve të organizatave të specializuara të cilat në çdo kohë përcjellin të gjitha ndikimet, zhvillimet, nga ku munden me nxjerr supuzime për ndonjë rrezik të mundshëm ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Sipas analizave të tyre, që unë pajtohem se janë të besueshme, gjithnjë ekziston një nivel i lartë dhe i mundshëm i rrezikimit të jetës së qytetarëve të Kosovës nga formacionet e vogla paramilitare prapa të cilave qëndron vetë shteti i Serbisë. Do të thotë është një formë e zhvillimit të operacioneve ku shteti tenton të jetë i pakompromentuar në lidhje me zhvillimet e tij. Po ashtu ka patur edhe mendime dhe analiza për ndërhyrje konvencionale ushtarake do të thotë me formacionet e rregullta por si mundësi shihet më e vogël. Por nëse kjo do të ndodhte pasojat do të ishin më të mëdha sepse atëherë do të vinte deri tek një konflikt i hapur ku do të përfshiheshin trupat që ndërhyjnë brenda territorit të kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës por edhe trupat e KFOR-it të mbështetura nga NATO” tha Çuni për “Gazeta Blic”

Çuni i pyetur në lidhje me deklaratën e Maqedoncit se në rast të një konflikti të mundshëm, Kosova është më e përgatitur se kurrë, ai pati këtë përgjigje.

“Eshtë fakt se institucionet tona të sigurisë, çdo ditë po i zhvillojne kapacitetet e tyre. Tanimë për Policinë e Kosovës mund të themi se e kanë të krijume apo të përfundume ngritjen e infrastrukturës me personel me objekte me teknikë që me i’u përgjigj situatave për misionin me të cilin ata janë të autorizuar. Kurse FSK është në zhvillim e siper, kjo do të thotë se njësitë e vogla munden me i menaxhu disa situata ku janë të përfshirë grupe më të vogla. Por nëse flasim për një agresion klasik, me një numër më të madh, me një teknikë të rëndë, atëherë kjo do të ishte sfiduese edhe për vetë Forcën e Sigurisë së Kosovës. Jo që nuk mundet me rezistu por do të ishte në pikpyetje fitorja absolute apo fitorja me një çmim të ultë” deklaroi ai për “Gazeta Blic”

Intervistën e plotë të Anton Çunit e ndiqni të plotë në faqen e Facebook të “Gazeta Blic”.