Lajme

A ka nisur bashkëpunimi LDK – Lista Serbe, për rrëzimin e Qeverisë, flet Agim Veliu

11/14/2018 13:20
nga:A. R.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj është i mundshëm.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa në një konferencë për media, ka thënë se do i shohin mundësitë për ta rrëzuar këtë Qeveri edhe me votat e Listës Serbe, shkruan GazetaBlic.

Megjithatë bashkëpunimi mes Listës Serbe dhe LDK për ti bërë numrat për rrëzimin e Qeverisë, nuk kanë nisur ende.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Blic, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i cili ka thënë se ende nuk kanë pasur kontakt direkt me deputetët e Listës.

Ai ka thënë se LDK e ka thënë publikisht se është iniciator i mocionit të mosbesimit dhe kushdo që i bashkëngjitet është i mirëseardhur.

“Qëndrimin e LDK e ka dhanë kryetari në konferencë për media, ashtu si e ka thënë, ashtu është.
Ne e kemi thanë qartë, nismëtari i mocionit të mosbesimit për qeverinë është Lidhja Demokratike, dhe kushdo që i bashkëngjitet është i mirëseardhur” ka thënë Veliu.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Podujevës-Agim Veliu

Ndërsa për akuzat se LDK po bashkëpunon me serbë për ta rrëzuar Qeverinë, Veliu i ka quajtur si jo logjike, ngase siç ka thënë ai, nuk mund ta akuzojnë për bashkëpunim me Listën Serbe, ata që vet qeverisin me serbët.

Madje ai ka një përgjigje interesante për ta.

“Nuk mundet koalicioni qeverisës e as një parti politike me akuzu LDK-në, pse po e pranon votën e Listës Serbe ose kujtdo qoftë për me e rrzu Qeverinë, kur ata janë në Qeveri me ta, çfarë logjike ka ajo, kur ata po qeverisin me ta.
Na po qeverisim me serbët e ju mos na rrzoni me serbët, kjo s’ka logjikë”
Ata me listën serbe na kanë rrzu neve edhe se kanë ba problem kurrë” ka thënë Veliu.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli duke komentuar deklaratat e Isa Mustafës, kishte thënë se për këtë çështje, duhet të shikohet fillimisht interesi nacional.

“Duhet ta dijë secili le të bëhen bashkë me Listën Serbe dhe me këdo le ta bëjnë mocionin kjo është çështje që në këtë moment nuk ka fare relevancë, relevancë duhet të ketë shteti i pavarur dhe sovran”, kishte thënë Veseli.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do bëhet bashkë me Listën Serbe, as në rrëzimin e Qeverisë.

Rexhep Selimi nga kjo parti ka deklaruar se VV nuk do i kërkoj votat nga serbët për rrëzimin e Qeverisë, por se kjo qeveri duhet rrëzuar nga populli.

/GazetaBlic/

12/06/2019 00:25

Avdullah Hoti: Nëse LDK nuk arrin koalicion me Vetëvendosjen, atëherë ky do të jetë pozicioni ynë si parti