Lajme

A ka aq ndikimi Presidenti Thaçi sa t’a rrëzoj Qeverinë Haradinaj?

10/09/2018 13:14
nga:Gazeta Blic

Kërcënimin që Presidenti Hashim Thaçi ia bëri në ditën e djeshme Kryeministri Haradinaj se ky i fundit duhet t’i ‘korrigjoj’ deklaratat e tij për çështjen e territorit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, analisti Nexhmedin Spahiu nuk po e konsideron si shumë të “rrezikshme” për rrëzimin e qeverisë.

Spahiu për “Gazeta Blic”, ka thënë se është evidente që retorika në mes dyshes (Thaçi e Haradina) është e acaruar.

“Nuk e di nëse zgjedhjet janë afër vetëm një gjë është evidente që retorika në mes të presidentit dhe kryeministrit është e acaruar, tani, se çfarë do të arrijë të bëjë presidenti, ta rrëzojë qeverinë apo jo mbetet për t’u parë”, ka thënë ai.

Sipas tij rrëzimi i qeverisë më shumë varet nga partnerët e koalicionit se sa nga Presidenti.

Ai më tej shpreh dyshimet e tij se Hashim Thaçi i ka nën- kontroll partitë që janë në pushtet, madje sipas tij as PDK-ja më nuk është në duart e tij.

“PDK-ja është krejtësisht nën-kontrollin e Kadri Veselit dhe ajo do të varet nga vullneti i tij nëse Kadri Veseli dëshiron ta mbajë qeverinë përkatësisht partnerët që janë në koalicion dhe pra rrëzimi i qeverisë varet nga këta. Në qoftë se njërën prej këtyre parterëve të koalicionit është në gjendje ta kontrolloj Hashim Thaçi atëherë qeveria edhe mund të bjerë”, ka deklaruar analisti.

Analisti Spahiu thotë se pavarësisht raporteve që Thaçi mund të ketë me partitë në koalicion, asnjërës madje as PDK nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Sado që ndonjëri nga liderët e partive në koalicion mund të ketë raporte të mira me Thaçin prapë se prapë interesi i tyre është që të qëndrojë në Qeveri sepse pas zgjedhje nuk i dihet askujt se ku e ka të garantuar që sërish do të jetë në qeveri. Qoftë edhe PDK-ja si partia më e madhe në koalicion. Presidenti edhe mund të bëjë përpjekje që ta rrëzojë qeverinë nga njerëzit e tij që i ka më afër mirëpo nuk besoj që ata në këtë rast do ta kenë kurajën që ta dëgjojnë presidentin për shkak se kjo gjë bie ndesh me interesin e tyre”, është shprehur ai.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu

Presidenti i shtetit Hashim Thaçi, ka kërcënuar me shkarkim Kryeministrin Ramush Haradinaj, për shkak të qëndrimeve të tij kundër idesë për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Thaçi, përmes një konference për media ka kërkuar nga Haradinaj, që të “korrigjojë” siç është shprehur ai, qëndrimin karshi dialogut me Serbinë, në fazën përfundimtare.

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij rreth dialogun, pa dialog nuk ka të ardhme atlantike për Kosovën. Tek e fundit që pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentet mund të ndërrohen, shkojnë e vin, gjithsesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit, i ka cilësuar të habitshme deklaratat e Kryeministrit Haradinaj, rreth idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke thënë se ai “ose është në humor të mirë ose është komod në karrigen e vet”.

“Unë kam pritur që të jetë më racional karshi deklaratave për dialogun. Një kryeministër serioz nuk flet për luftëra dhe tragjedi, por për reforma. Sido që të jetë ka dështuar të bëjë një gjë të tillë në javët dhe muajt e fundit”, ka vazhduar me kritika, ndaj Haradinajt Presidenti Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se marrëveshja Kosovë- Serbi është e domosdoshme, që përmes saj Kosova të fitojë njohjen reciproke, “të fitojë njohje nga pesë vende të Bashkimit Evropian dhe jam i bindur që një gjë e tillë është më së e duhur që të ndodh”, shtoi Thaçi.

/GazetaBlic/

 

03/30/2020 21:03

Ramush Haradinaj: Kurti e dorëzoi taksën, po ta mbante do të isha me të në ditën e mocionit