Lajme

A do të takohen Thaçi dhe Kurti sot?

03/09/2020 07:40
nga:E Sh

Presidenti Hashim Thaçi i ka ftuar të gjithë liderët e partive politike që t’i takojë gjatë ditës së sotme.

Një ftesë të tillë e ka marrë edhe kryeministri Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo, një takim mes Thaçit dhe Kurtit duket se nuk do të ndodhë as sot.

Ndonëse në agjendë të presidentit takimi me Albin Kurtin është paraparë për në orën 13:00, një takim i tillë nuk është përfshirë fare në agjendën e kryeministrit.

Nuk dihet nëse takimi Thaçi-Kurti do të ndodhë gjatë ditës së sotme, por ajo që dihet është se kryeministri e ka ftuar dy herë presidentin që të takohen në mënyrë që t’i bashkërendojnë veprimet rreth politikës së jashtme.

Në letrën e tij, Albin Kurti kishte deklaruar se prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë atë.

“Ashtu siç kam shkruar edhe në letrën time të fundit, më datë 13 shkurt 2020, politika e jashtme është ajo që duhet të na përbashkojë neve. Përfaqësimi i Kosovës duhet të jetë sa më i denjë në arenën ndërkombëtare dhe këtë mund ta arrijmë duke qenë të harmonizuar në qëndrimet tona të cilat përveç suksesit do të garantonin edhe zhvillim ekonomik e siguri shtetërore e kombëtare”, kishte shkruar ai në letrën drejtuar Thaçit.

Ftesa e dytë e Kurtit erdhi një ditë pasi që presidenti i vendit u takua me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë.

Një ftesë të njëjtë – për një takim për t’i bashkërenduar qëndrimet për çështjet e politikës së jashtme – kryeministri ia bëri presidentit edhe para udhëtimit për në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Por, Thaçi kishte udhëtuar drejt Gjermanisë para se të mund t’i përgjigjej kësaj ftese të Kurtit.

04/06/2020 21:37

Kurti takohet nesër me Lutfi Hazirin