Lajme

A do të mbyllen shkollat në Kosovë pas rritjes së rasteve me COVID-19, flet për GazetaBlic Ministria e Arsimit

10/13/2020 10:15
nga:F K

Në javën e dytë të këtij muaji, në Kosovë është rritur numri i rasteve pozitive për koronavirus, shkruan GazetaBlic.

Përveç kësaj, pozitivë për koronavirus kanë rezultuar edhe nxënës nëpër shkolla të vendit. Por, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve në përgjithësi, shkollat në Kosovë nuk do të mbyllen.

Kështu kanë thënë për GazetaBlic edhe zyrtarë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Sipas tyre, gjendja nëpër shkolla vazhdon të jetë normale.

“Aktualisht gjendja është në shkolla është në rregull, shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASH për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokolin e reagimit ndaj pandemisë covid19. Shkollat nuk do të mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. MASh gjithashtu ka hartuar Protokolin e reagimit ndaj pandemisë COVID – 19 në shkolla, që ka qëllim të përcaktojë mënyrën e reagimit të menaxhmentit të personelit të shkollave dhe të DKA-ve në rast të paraqitjes së rasteve të infektimit individual ose grupor të nxënësve ose të personelit të shkollave gjatë zbatimit të procesit mësimor në shkolla”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për GazetaBlic.

Nga kjo, është paraparë organizimi i mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të Ministrisë duke respektuar 3 skenarët.

“Udhëzimi për reagim parasheh ndërrimin e kenarëve (A->B ose B->C) në bazë të numrit të personave të infektuar në sistemin arsimor. Task forca në nivel të DKA-së dhe task forca janë përgjegjës për formën e organizimit të mësimin dhe sigurojnë që institucionet edukative e arsimore kanë krijuar të gjitha kushtet për fillimin e vitit shkollor dhe për zhvillimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të MASh, rekomandimeve të MSH dhe IKSHPK, për cilin do nga skenarët. Gjithashtu task forca komunale dhe ajo e shkollës raportojnë çdo javë për mbarëvajtjen e mësimit dhe në bazë të vlerësimit të situatës vendosin për veprimet e mëtutjeshme”, kanë thënë tutje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Në anën tjetër, pas rritjes së numrit edhe është paralajmëruar shtrëngim të masave.

“Mungesa e disiplinës, por edhe ardhje nga jashtë ka bërë të ketë rritje, kjo na bën të kemi angazhim maksimal. Covid nuk zgjedh profesion dhe nuk bën dallime. Aktivitet e liruar duhet të mbahen duke masat, masat e reja shtrënguese janë të obligueshme”, ka thënë të shtunën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Të njëjtin paralajmërim e ka dhënë edhe kreu i ekzekutivit të Qeverisë, Avdullah Hoti.

“Rreziku nga një valë re e Covid-19 në Kosovë është shumë i madh. Në dy javët e fundit, numri i të prekurve ka qenë në rënie, me rreth 30 raste aktive për çdo 100 mijë banorë. Por, parashikimet janë se ky numër shpejt mund të kalojë shifrën prej 50, dhe atëherë sipas protokolleve duhet shtrënguar masat, siç po ndodh në shumicën e vendeve të BE-së”, tha Hoti.

Marrë parasysh në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16.247. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 1.231./GazetaBlic