Lajme

A do të ketë rinumërim të votave në gjithë Kosovën? Flet zëdhënësi i KQZ-së

01/18/2026 18:30
nga:Genita C

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mohuar raportimet se i gjithë territori i Kosovës do t’i nënshtrohet rinumërimit të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për GazetaBlic se sipas vendimit të 13 janarit 2026, rinumërimi i plotë do të zhvillohet në 10 komuna, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve.

Ai shtoi se varësisht nga gjetjet gjatë këtij procesi, KQZ mund të marrë vendime shtesë, por aktualisht nuk ka asnjë vendim tjetër në fuqi.

“Sipas vendimit të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, rinumërimi i plotë do të përfshijë 10 komuna, ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre. Varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera. Aktualisht, KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër”, tha Elezi për GazetaBlic.