Lajme

A do të jepet në dhjetor vendimi për viza, flet Dhurata Hoxha

10/23/2018 20:01
nga:A. R.

Shteti i Kosovës ende nuk e ka të sigurt nëse në dhjetor do të marrë përgjigjen definitive për liberalizimin e vizave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha po insiston në idenë se përgjigja e BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën do të jetë pozitive.

Kjo edhe përkundër shumë zërave skeptik që kanë dalë në ditët e fundit se ky vendim do jetë negativ.

Një deklaratë të tillë madje e ka bërë sot edhe deputeti gjerman nga CDU Peter Beyer.

Ai gjatë qëndrimit në Kosovë ka thënë se është e vështirë për të mos thënë e pamundur që këtë vit të jepet drita jeshile për vizat për Kosovën shkruan GazetaBlic.

Por ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha ka thënë se presin vendim pozitiv, dhe që BE të vlerësoj punën që Kosova ka bërë sipas saj, në plotësimin e kritereve për liberalizim.

Por me gjithë insistimin, Hoxha nuk ka mundur të jap datë se kur qytetarët do marrin lajmin, qoftë pozitiv apo edhe negativ

“Jemi në situatë kur nuk mund të flasim për data sepse nuk varet nga ne, e gjitha tani është në duart e shteteve anëtare. Ne i kemi përmbushur kriteret, i kemi bërë detyrat tona, tani i mbetet BE-së ta përmbush pjesën e vet.

Presim vlerësim për punën tonë, të arriturat tona por edhe përkrahjen për përballimin e sfidave në procesin integrues.” ka thënë Hoxha në një prononcim për Gazetën Blic.

Ajo ka thënë se presin që takimi i Këshillit të Ministrave të mbahet në muajin dhjetor, dhe që nga aty të japin një sinjal për Kosovën.

“Këshilli i Ministrave mban mbledhje sipas agjendës, sipas të gjitha gjasave në muajin dhjetor, këtu pritet shqyrtimi dhe marrja e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Hapat tjerë pastaj janë më shumë procedural kurse vendimi kryesor është tek Këshilli” ka thënë Hoxha .

Ndërsa koordinatori i Gjermanisë për marrëdhëniet transatlantike, Peter Beyer, ka thënë se edhe viti 2018-të do të përfundojë pa liberalizim vizash për Kosovën.

Deputeti gjerman nga CDU, në një intervistë  për Info Magazine, theksoi se Berlini nuk vendos në çështjen e dritës jeshile për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës

”Berlini nuk vendos për liberlizimin e vizave. Procesin e njihni. Komisioni i Parlamentit Europian ka votuar, 95% e kushteve janë plotësuar”.

”Do të isha shumë i kujdesshëm në dhënien e datave, do të isha shumë optimist që këtë vit të ndodh liberalizimi i vizave”.

”Por gati se është e pamundur të ketë dritë të gjelbër”.

”Secili që mendon se këtë vit mund të ketë liberalizim, e ka gabim”.

”Deri tani nuk është përcaktuar asnjë datë asnjë shtet. Nuk janë deklaruar ende askush”.

”Është një proces i cili është në vazhdim dhe nuk duhet të jepet afat”.

”Nuk është se të gjithë jemi të një mendimi, por kjo është e mira sepse ne japim hapësirë për të diskutuar”.

Këshilli i ministrave pritet të mblidhet në javën e dytë të dhjetorit.

/GazetaBlic/

 

 

 

 

 

 

 

 

04/28/2019 18:38

Politikani gjerman: Serbia dhe Kosova të bëhen serioze ose nuk hyni kurrë në BE