Opinion

A do të humb Kosova Trepçen dhe Ujmanin?

08/11/2018 20:30
nga:Leonard Komani

Përveç Vuçiçit dhe Hashim Thaçit askush tjetër nuk e di saktësisht se ç’do të mund t’i ndodhë Kosovës së shpejti. E gjersa këta lëshojnë informatat me këste, me planin për t’i përgatit masat pa rrezikuar trazira, kundërshtarët „argumentojnë“ me spekulime të cilat janë fare të pabindshme. Debati duhet të bëhet pasi opsioni të jetë shpaluar ne totalin e tij.

Leonard KOMANI

Nga shtatori pritet që serbët dhe kosovarët të fillojnë fazën finale të bisedimeve për të vendosur se si do të jetojnë në të ardhmen bri njëri tjetrit: si dy vende fqinje me aspiratat për në BE; si dy vende armiqe me plotë konteste të hapura e që do keqpërdornin e nxisnin komunitetet e tyre të bëjnë sa më shumë çrregullime në vendet përreth apo do të vendosin përfundimisht të jetojnë si dy kombe që nuk pengojnë njëri tjetrin drejt realizimit të lirisë, shtetësisë dhe mirëqenies së tyre? Si do të vendosin këto dy vende të zgjedhin konfliktet e tyre aq të komplikuara e të hershme aq sa është edhe vetë historia e tyre që nga dita kur janë përballur për herë të parë e deri sot?

OPSIONI I PRESIDENTËVE

Debati ka filluar qëmoti, në të dyja anët e kufirit diskutohet e polemizohet se si do të duket zgjidhja e problemit. Vuçiç në Serbi përgatit masat mentalisht – me këste. Secila deklaratë bëhet më konkrete se paraprakja. Të njejtën e praktikon edhe Hashim Thaçi në Kosovë, vetë e nëpërmjet miqve të tij si Baton Haxhiu e tjerë. Që të dy presidentët e vendeve në konflikt si duket janë pajtuar për korrigjime kufijsh. Dhe ky korrigjim aq sa mund ta vizatojmë deri tash dhe atë me gjitha spekulimet që përmban duket kështu: Tri komunat veriore të Kosovës;
Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan të shkëmbehen me komunat shqiptare të Luginës; Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas informatave të pakonfirmuara del se sharrat në gozhdë të kësaj marrëveshjeje ndërqeveritare janë Ujmani dhe Trepça – statusi i tyre pronësor, të cilat i do sa Kosova aq edhe Serbia.

Petriç, Bildt dhe disa diplomatë tjerë të involvuar tashmë „historikisht“ në këtë proces nxorën në pah se marrëveshja ka edhe bekimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe partnerëve të tij më shumë të linjës lindore – Turqinë sidomos.

SHBA-të dhe BE bëjnë sikur nuk dinë gjë, por me deklaratat që japin, të stilit; „palët në bisedë duhet të vendosin vetë se si do të duket marrëveshja“, nuk shfaqin ndonjë rezistencë të theksuar kundër këmbimit të tokave si ashtu të lëvizura drejt njërit apo tjetrit shtet pas Luftës së Dytë Botërore për shkaqe të rikonfigurimeve demografike në favor të shumicës sllave.

Argumenti kryesor, të cilin duan t’ia imaponojnë si fakt e kusht opinionit bartësit e këtij opsioni, thuhet të jetë ky: „Pa një demarkim definitiv ndërmjet dy vendeve përherë do të ketë luftë brenda tyre për autonomi dhe shkëputje të dy komuniteteve që gjenden brenda territoreve të „huaj“. Pra sipas këtij rrëfimi dy shtetet asnjëherë nuk do munden të aderojnë në BE apo të paqësohen për shkak të „palestinave“ të tyre brenda, kontesteve përjetësisht të pazgjidhshme.

DILEMAT DHE REZISTENCAT NGA BRENDA

Jashtë dhe brenda një linjë e polemikës përbëhet nga ata që besojnë se me hapjen e kutisë pandoriane të rivizatimit të kufijve, në Gadishull do plas sheri, i cili përfundon si zakonisht me lufta të tmerrshme si ato, palgët e të cilave ende mbushin me energji gjeneruese politikat hakmarrëse të vendeve të Ballkanit.
Këtij anti-opsioni i bashkohen edhe një pjesë e „elitave“ të shoqërisë kosovare, të cilat nuk duan bashkimin me pjesë tjera shqiptare dhe me pasion mbrojnë këtë Kosovë „multi-etnike“. Kjo kategori beson se serbët një ditë do të integrohen dhe do jenë ura lidhëse me Serbinë, për të cilën megjithatë ushtrojnë respekt dhe pse jo edhe një nostalgji që përçohet nga gjenerata në gjeneratë.

Argumenti kryesor i tyre se Kosova do të përfundojë serish si kauzë konferencash ndërkombëtare (ajo është në tavolinën e gjithëve me BE si menaxhuese, del jo i trashur aq sa për ta marrë si të tillë – si fakt për alarm). Përballë opsionit „presidencial“ serbo-shqiptar, që për çdo ditë bëhet sa më i qartë ky i kundërshtarëve me floskën „nuk guxon askush t’i prek kufijt“, edhe kur del nga goja e ndonjë Haradinaj a Veseli i përngjanë atij kërcënimit monoton që dikur e përsëriste oreçast Ramiz Alija ndaj fuqive „imperialiste“. Madje, kjo kategori jo rrallë vuloset si egocentrike, ngase nuk çaka kokën për shqiptarët e Luginës dhe përdorëka sulmet ad hominem ndaj Hashim Thaçit për ta maskuar aversionin ndaj shqiptarëve të Luginës dhe tjerëve. Problemi mirëpo dukt shumë më i thellë se vetëm kaq – ad hominem.

FACITI

Kjo është pasqyra siç na e shfaq polemika dhe deklaratat e iniciatorëve të këtij zhvillimi të ri. Më shumë nuk dinë kush, as kundërshtarët por as vetë Thaçi dhe „korrigjuesit“ tjerë ngase as ata nuk e dinë se a do t’ia dalin ta heqin qafe Serbinë pa humbur Trepçën e Ujmanin. Nga ana tjetër askush nuk garanton se serbët nëpërmjet një autonomie të gjërë serbe nuk do ta fitonin armën e nevojshme për ta mbajtur atë përjetësisht peng.

Kjo dilemë, ky ngërç mirëpo erdhi pikërisht për shkak të një politike deficitare të Kosovës, të bërë pothuaj nga gjithë partitë kryesore në pushtet. Prandaj sot askush nuk beson se e njejta „elitë“ politike do të ishte e aftë për ndonjë marrëveshje ku s’do të humbte Kosova keq, si gjithmonë në histori.

08/18/2018 19:05

Një medaljon lufte për çdo kosovar!