BLIC.TV

A do ta përkrahë LDK-ja, Vetëvendosjen për protesta me qëllim rrëzimin e Qeverisë?

07/27/2018 20:57
nga:D.I

Nuk kemi asnjë marrëveshje as sekrete as publike me Vetëvendosjen. Kështu tha Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, kur u pyet se a është arritur ndonjë marrëveshje me partinë e Albin Kurtit.

Beqiri në intervistën dhënë për “Gazeta Blic”, tha LDK nuk do ta përkrahë Vetëvendosjen për protestat e paralajmëruara në shtator.

Por, ai thotë se edhe LDK edhe VV kanë synimin e njëjtë pavarësisht mënyrë se si po tentohet të arrihet ky qëllim.

“Ne dallojmë me të gjitha subjektet politike në disa gjëra, sa i përket protestave formës së rezistencës nëse mund të themi, ne, karshi koalicionit LDK e ka qëndrimin e vet që e ka të ndërtuar vet dmth i pa ndikuar prej askujt”, tha ai.

“Në këtë drejtim është edhe Vetëvendosja, sepse ju e dini që ne kemi 27 deputet, ndërsa, VV 19 në Kuvend, si subjekt i dytë opozitar edhe ata e shohin si interes për vendin t’i bashkëngjiten kësi soji këtij qëndrimi të LDK-së që ne të mos votojmë ligjet të ashpërsojmë diskursin tonë në kuptimin institucional”, tha ai.

Sipas tij LDK ka tjetër filozofi politike, ai ka ritheksuar qëndrimin e LDK duke thënë se kjo parti kërkon ta mat fuqinë përmes votës.

“Ndërkaq nuk është në natyrën e LDK, unë po e them sot sepse brenda LDK nuk e kemi biseduar çështjen e protestave. Sa unë mbajë mend asnjëherë LDK veçmas flas pas luftës, sepse para luftës çdo protestë që është organizuar në Kosovën e okupuar bartëse ka qenë LDK-ja, por, edhe në ato protesta kanë qenë paqësore. E ne nga protesta e natyrës çfarë i ka bërë Vetëvendosje dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe partitë tjera ne e shohim çfarë ka ndodhur 2-3 vitet e kaluara”, është shprehur Beqiri.

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri

“Tjerat forma nuk janë pjesë e strategjisë së LDK-së, ne asnjëherë nuk e kemi biseduar këtë formë të rezistencës. LDK luftën e saj politike e bënë më metoda tjera”, thotë ai.

Tutje, Beqiri e ka quajtur Qeverinë Haradinaj, hipokrite duke thënë se po insiston që është një qeveri stabile dhe sipas tij nuk ka as shumicën e thjeshtë në Kuvend.

“Qëndrimi i LDK-së është ky që nuk ka asnjë arsye qe me i’ua përkrahë as ligjet, sepse një gjë duhet kuptuar, sepse nëse këta në pushtet thonë se i kanë votat atëherë pse kërkojnë vota nga ne, ne nuk jemi bojkotues të punimeve në Kuvend. Është shumë hipokrizi me na thënë se ju po e sabotoni Kuvendin, në të njëjtën kohë me thonë nuk kemi nevojë për vota të juaja, ju e keni parë edhe në Seancën e fundit në Kuvend ne e kemi thënë ‘hajde’ urdhëroni, kur vjen puna nuk mund të kaloj asnjë ligj. Realisht me shumicën e thjeshtë e të mos flas për 2/3 që nuk mund ti bëjnë asnjëherë do te thotë që ne nuk po e sabotojmë Kuvendin, por, po iu tregojmë që nuk kanë fuqi dhe meqenëse nuk keni fuqi dhe nuk keni vota atëherë e vetmja zgjidhje është me shku në zgjedhje”, tha Beqiri në intervistën për Gazeta Blic.

Ndryshe, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj po na dëshmojnë se nuk janë të interesuar për dialog të brendshëm e formulim kërkesash ndaj Serbisë, për parime dhe kushte të dialogut, për ekip negociator të Kosovës me qëllime të qarta dhe strategji fitimtare.

Ai ka thënë se kjo sjellje e tyre po ia imponon sërish qytetarëve të ngriten në demonstrata në këtë vjeshtë, në mënyrë që të mos humbet në dimër edhe ky gjysmë shteti që ka mbetur.

Lideri i VV-së, Albin Kurti

Postimi i plotë:

Më 9 korrik 2018, Qeveria e Kosovës, ka dorëzuar në Kuvend një material me titull “Raporti mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”. Këtë e bëri Qeveria e cila e ka kryeministër Ramush Haradinajn. Mirëpo, Qeveria faktike e cila e ka për kryeministër Hashim Thaçin shkoi në Bruksel te Vuçiqi, pa e përfillur dhe diskutuar fare këtë Raport në Kuvendin e Republikës. Haradinaj është i përfshirë edhe në këtë Qeverinë tjetër, porse këtu vetëm si ministër pa portofol.

Kësisoj, kemi edhe një tjetër Raport të Qeverisë që nuk është raport ndaj Kuvendit por informatë për Kuvendin. Jo për t’i dhënë llogari Kuvendit, por për ta margjinalizuar atë. Ky regjim e do Kosovën si një komunë të vetme për qeverinë formale të Haradinajt dhe si një republikë presidenciale për autokracinë e Thaçit.

E thonë edhe vetë, se gjithçka me Serbinë duan ta rrumbullakësojnë para zgjedhjeve të pranverës 2019 të Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, kalendari i BE-së duket se është gjithçka për ta, jo sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Kosovës. Ata po na dëshmojnë se nuk janë të interesuar për dialog të brendshëm e formulim kërkesash ndaj Serbisë, për parime dhe kushte të dialogut, për ekip negociator të Kosovës me qëllime të qarta dhe strategji fitimtare.

E kanë veçse hallin e brendshëm personal që u varet nga kalendari i jashtëm politik. Tanimë s’ka pse njeriu flet më për ta a me ta. Kjo koniukturë politike me këtë keqtrajtim që po ia bën interesave jetike të Kosovës po ia imponon sërish qytetarëve të ngriten në demonstrata në këtë vjeshtë, në mënyrë që të mos humbet në dimër edhe ky gjysëm shteti që ka mbetur.

Për përmbajtjen e Raportit, një herë tjetër, mirëpo me këto dy qeveri dhe sjelljen e tyre, kjo përmbajtje tashmë është çështje dytësore.

Intervistën e plotë me Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqirin mund ta ndiqni sonte në transmetim direkt duke filluar nga ora 21:30 në faqen zyrtare të “GazetaBlic” në “Facebook“. / © GazetaBlic /

10/21/2018 14:43

VV: Rasti Maxhuni dëshmi e fshehjes së krimit