Debat

Një djall i Dostojevskit

03/14/2023 10:13
nga:Shkumbin Beqiri

Putini në Ukrainë po kërkon një arsye për të ekzistuar, për të ju treguar të tjerëve se vazhdon të jetë ai që ishte që kur erdhi. A po, më fal se paskam filluar gabim shpjegimin, po bënë atë që Rusia bënë vazhdimisht, atë që di të bëjë, të luftoj për t’i treguar kundërshtarëve të pushtetit se liria jonë po rrezikohet, andaj na duhet një opium për të ushqyer lirinë. Opiumi është gjaku i mira ushtarëve dhe civilëve, që do mund të kurseheshin nëse trimëria për të jetuar pa pushtet do të ishte virtyti i këtij të çmenduri.

Mbrëmë me Anën pas darkës po diskutonim se sa të lumtur do të ishim ne rusët dhe vëllezërit tanë ukrainas nëse Putini të mos ishte kaq frikacak dhe të jetonte pa pushtet. A ju kujtohet Stepan Trofimoviçi, i cili ishte nga ato natyra idealistësh, që i pushton një ide e vetme dhe i bën skllav, ndonjëherë edhe përjetësisht. I njëjtë është Putini që shpëtimin e Rusisë e sheh duke i marr një pëllëmbë toke më shumë Ukrainës apo ndonjë shteti tjetër. Po ky nuk është as idealizëm, të paktën të ishte i tillë, sikur i Stepanit. Mësova se kishte edhe armë bërthamore, por me to Putini mund të bëjë një vetëvrasje, për të arritur ndonjë qëllim politik jo se jo, por as për të treguar se përmes vetëvrasjes shpërfill frikën nga vdekja sikur Kirilovi.

Luftën do ta fitonte sikur të mos e fillonte, ndryshe e ka të humbur. Edhe ata njerëz që janë afër atij oborri të mallkuar moskovit të despotit e dinë se kjo luftë është e humbur, por s’guxojnë as të flasin, as të shkruajnë sepse e kanë të njëjtën frikë si të Kapiten Lejadkinit, që i shkruante Elizaveta Nikollajevnas se po t’ju shkruaj për vetën, sipas dokumenteve e priste Siberia. Atje ka dhe një ligj tashmë, që ndalon përdorimin e fjalës luftë, të cilën e ka zëvendësuar me “operacion special ushtarak.” Pra, ka një dokument që ta tregon udhën për në Siberi, po e përmende luftën, aq më pak të flasësh për humbjen e saj!

Për ta shpëtuar Rusinë duhet të dal prapë një Pjotor Stepanoviç për t’i organizuar shoqëritë e fshehta,… për t’i minuar themelet e shoqërisë, për ta brejtur e shpërbërë pak e nga pak…, duke u mbështetur në rrjetin e dendur të pesësheve, që të veproj dhe t’i nuhas pikat e dobëta të shoqërisë, e të arrij t’ia marr Putinit pushtetin. Edhe Pjotori mund të jetë i njëjtë, sepse ne rusët tregojmë plotë dhembshuri për atë që sapo ka marr pushtetin dhe nuk i prishim rahatin sikur anglezët, derisa t’i japim kohën e mjaftueshme për t’i mbrehur shpatat e tiranisë që të na i vë me pas mbi kokë, siç na i ka vënë Putini që prej ditës kur Boris Jelsini e prezantoi si president të ardhshëm të Rusisë.
Ua kam thënë njerëzve te kumarxhiu, se pushteti tiranizues i pakufishëm, makar i ushtruar edhe mbi një mizë, është në llojin e vet kënaqësi. Njeriu është tiran prej natyre dhe ia ka ënda të jetë xhelat. Ky është Putini! E kemi njohur për tiran që moti, me një dallim të vogël nga ata të tjerët që kanë qëndruar në lozhat e Kremlinit, vetëm se ka ndryshuar armët, por se si vrasës është i njëjtë. Deri ditën kur ndodhi sulmi mbi Ukrainë ishte tiran, pas asaj dite ja arriti të bëhet edhe xhelat.

Kjo luftë ka dëshmuar saktësinë që e kam treguar prej kohësh se ekzistojnë dy lloj lojërash; një është lojë fisnikësh, kurse tjetra lojë fundërrinash, me synimin për të zhvatur, lojë maskarenjsh. Koha e maskarenjve ka filluar që para se të lind unë, të cilës duhet t’i përshtatesh se ta ndryshosh është përpjekje e dëshpëruar. E shikuat si e burgosën Aleksei Navalnin?! Hamendsimet në këto raste mund të jetë të vërteta absolute, sepse britanikët na treguan se cari i verdhë e ka shtypur opozitën, aq sa Navalni mund tashmë t’i takojë historisë!

Të gjithë mund të pyesni se çfarë e nxitë Putinin të jetë kaq i pa kuptimtë me këtë veprim në shekullin XXI?! A është nacionalist ai? Nacionalist them unë, ama nacionalist oborrtar! Nacionalizmi tek ne këtu në Rusi ndryshon nga ai që mund ta kenë gjermanët, francezët, anglezët apo kushdo tjetër.

Sikur dikur në një nga ato fjalimet e fuqishme që mbante Stepan Trofimoviçi na tregon se; nacionalizmi ndër ne kurrë nuk ka shkuar më larg se sajimi i oborrtarisë, madje i asaj moskovite. E shikuat teatrin që ndodhi një ditë para sulmit, ku ishin mbledhur oborrtaria moskovite e vitit 2022 për të nisur luftën?! Sergej Lavrovi është një nga më të vjetrit aty, një model i diplomatit që mjetin e parë për të zgjidhur një problem politik ndërkombëtar e konsideron luftën. Ai është një Nikollai Vsevollodoviç, madje në versionin e tij më të shëmtuar, i martuar me gjynahet e shefit të tij. Këta oborrtar janë nisur nga ideja e lirisë së pakufizuar dhe kanë dalë te nevoja e despotizmit.

Lufta në Ukrainë është një lojë e quajtur “duel” ku ballafaqohen dy të armiqësuar për t’i larë hesapet e tyre. Putini ka hyrë në këtë duel pa qenë i sigurt nëse ka mbushur me fishekë revolen që mban në brez. Jemi në një situatë kur …mendja e lehtësuar është privilegj, ata që e zotërojnë vishen me pushtet, bëhen despotë. Detyra e tyre është të korruptojnë e vijimisht të korruptojnë të tjerët, me këtë sjellin dobi… I tillë është Putini. Ai luftën e sheh si një festë, një tribunë, ku do të shpallë një ide të madhe, por trimëria e ukrainasve ja ka përmbysur tribunën dhe festën ja ka kthyer në një funeral për pushtetin e tij.

Shkumbin Beqiri, 10 mars 2023, Prishtinë.