Opinion

44 në vend të 4+4

A. R.A. R.

Kurti do të listohet si kryeministri që nuk ia doli të qeverisë as dy muaj. Qeverisi vetëm 44 ditë, ndonëse kur nënshkroi marrëveshjen me LDK’në ishte shumë ambicioz, duke thënë se kanë plan 4+4, që nënkuptonte dy mandate të plota. Në fakt, nga kjo formulë mbeten veç dy numrat. 44 zuri vendin e 4+4

Shkruan: Shkodran Hoti

Të karantizuar dhe duke pritur teste te reja të Coronavirusit, qytetarët e Kosovës dje u shërbyen me një të papritur nga qeveria, të cilës tashmë po i numërohen ditët. Me shumë gjasë janë këto ditët e fundit të kësaj qeverie, të cilës iu deshën 119 ditë për t’u formuar, funksionoi vetëm 44 ditë, dhe iu deshën vetëm disa orë që të vetëpërmbysej.

Kjo qeveri e ndërtuar nga dy partitë që para zgjedhjeve të 6 tetorit ishin në opozitë dhe dolën partitë më të mëdha në ato zgjedhje, po shihej si “shpresa e humbur” e “ndryshimi i madh”. Rezultati i korrur në zgjedhje i këtyre dy partive – VV’së dhe LDK’së – la në harresë përpjekjet e pasuksheshme nga partia e Albin Kurtit dhe ajo e Isa Mustafës, për të garuar me një listë të përbashkët. E, përkundër kësaj, shpresën po e mbanin deklaratat nga të dy kampet se pas zgjedhjeve – cilado që të fitonte – do ta kishin për partner koalicioni njëra-tjetrën.

Ashtu edhe ndodhi. Veçse jo siç u premtua. Jo pas 72 orëve. Bile as pas 72 ditëve. Por, pas hiç më pak se 119 sosh. Pas shumë e shumë takimeve. Pas bisedimeve të shumta. Me tempo të ndryshme, herë “adagio” e “adante”, e më rrallë “allegro”. Pas dakordimeve për t’u takuar sërish. Pas takimeve të sërishme. Pas shumë buzëqeshjeve të Vjosa Osmanit e pas shumë imazheve me fytyrë të ngrysur të Agim Veliut. Pas video-inçzimeve në rrjete sociale të Albin Kurtit që ngjallnin kurreshtje thuajse sa telenovelat turke. Pas letrave të shumta të tij që herë i drejtohej Isa Mustafës si “profesor” e dikur ia rikujtonte se nuk ishte diktator. Pasi u fytafytën se kush të zgjedhte i pari. Pas një maratone që kishte cak pozita të ndryshme shtetërore: njëherë Ministrinë e Punëve të Brendshme, dikur Presidentin dhe në një moment Kryeparlamentarin. Pas një loje me numrin e ministrive. E, pati edhe “rrokada”, siç ishte ajo e Kryeparlamentarit, kur brenda pak ditësh dikush u bë kryeparlamentar e më pas ministër.

Sidoqoftë, u jetësua ajo për të cilën kishin votuar rreth gjysmë milioni qytetarë të Kosovës. Albin Kurtin më nuk po e pengonte askush që t’i shërbente popullit, siç ka dëshirë ta përshkruajë vazhdimisht qëllimin e tij në politikë. Edhe Vjosa Osmani zuri karrigen e kryeparlamentares, të cilën Kurti ia kishte “ndarë” qysh në fushatën elektorale, ani pse edhe ajo synonte ta zinte vendin e Kurtit. PAN ishte shpërndarë nëpër ulëset e opozitës. PSD’ja “famëkeqe” nuk ishte më në Kuvend. Emra të rinj zv/kryeministrash, ministrash e zv/ministrash u duartrokitën. Shfaqja që do të zgjaste 44 ditë, më në fund filloi.

Kryeministri Albin Kurti, njeriu më i zëshëm në Kosovë përgjatë dy dekadave të fundit, për më pak se dy muaj, hoqi dorë thuajse nga të gjitha ato për të cilat kishte bërë zhurmë për më shumë se 20 vite. Mori detyrën duke e respektuar himnin që e quante melodi pa tekst e flamurin që e konsideronte lara-lara e të nxjerrë nga strajca. Tashmë i kishte ministra ata të cilët nuk po i quante më “formacion çetnik”, përfaqësuesit e Listës Srspka, të cilët madje tha se po tregoheshin konstruktivë. Shprehej i gatshëm të dialogonte me Serbinë në mënyrën që gjatë e kishte kundërshtuar, pra pa kërkimfaljen e kësaj të fundit, e madje e harroi dialogun me serbët lokalë. Brenda një dite vizitoi varrin e Ibrahim Rugovës, tek i cili refuzoi të bënte homazhe për 15 vite; dhe shtrëngoi duart me atë që vazhdon ta quajë “e keqja më e madhe e Kosovës”, presidentin Hashim Thaçi, duarshtrëngim ky, për të cilin dikur ishte gozhduar Shpend Ahmeti nga njerëzit e afërt të Kurtit.

U kapërdinë të gjitha këto. Edhe plot të tjera që nuk janë listuar. Sepse edhe mbështetësit, por edhe kundërshtarët, po donin ta shihnin se ç’do të sillte njeriu me 23 vite karrierë politike, pjesën më të madhe të tyre jashtë institucioneve. E filloi me shfuqizime të disa vendimeve të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, përmes të cilave ia uli edhe pagën vetes dhe shkarkoi koordinatorët nacionalë, pozita e shpikur më idiote në Kosovën e pasluftës. U shkarkuan edhe borde, kjo e mirëpritur nga të gjithë. U shkarkuan edhe konsuj e ambasadorë, gjë që që mori po ashtu duartrokitje. Gjitha këto nga militantët e Kurtit po përshkruheshin si “Operacioni Fshesa”. Përtej tyre, shfaqja e pandemisë së Coronavirusit në Kosovë, nxorri në pah një përkushitim dhe mobilizim për t’u vlerësuar lartë nga Qveria e Kosovës, në veçanti nga Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Arben Vitia.

Por, kjo pandemi, u bë edhe “mollë sherri” për Qeverinë Kurti. Ky i fundit dje e shkarkoi ministrin nga radhët e LDK’së, Agim Veliun, për t’ia kurdisur shkarkimin vetes. Arsyetimi ishte se Veliu, njëra nga figurat më antipatike për VV’në tradicionalisht, kishte përhapur panik tek qytetarët lidhur me Coronavirusin. Dhe njëkohësisht, pse kishte dalë pro propozimit të Hashim Thaçit, që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për shkak të kësaj pandemie, ide që Kurti vazhdon ta konsiderojë si masë ekstreme.

Por, a është vërtetë kjo arsyeja e shkarkimit të Agim Veliut? Dhe pyetja më e rëndësishme se kjo: A e ka problem Kurti vërtetë dekretin për gjendje të jashtëzakonshme nga Thaçi? Apo kjo është vetëm pasojë e hasmërisë shumëvjeçare mes tyre dhe mospajtimeve më të mëdha që kanë, veçanërisht lidhur me dialogun?

Shkarkimi i Agim Veliut u bë nga Kurti duke shkelur marrëveshjen me LDK’në, kryetarin e së cilës duhej konsultuar para shkarkimit të çdo ministri që vinte nga LDK. Kjo duket se u bë nga Kurti për ta zyrtarizuar divorcin me partnerin e tij në qeveri. Për t’i dhënë fund kësaj martese politike, problemet e së cilës filluan për shkak të refuzimit të tij për ta hequr taksën e mallrave ndaj Serbisë. Për këtë, ai gjatë 44 ditëve të qeverisjes së tij ishte vazhdimisht nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U kritikua si asnjë lider tjetër nga figura ndër më të lartat në Shtëpinë e Bardhë.

Dhe, edhe pas kërcënimeve deri në largimin e trupave amerikane nga Kosova, Kurti nuk ia doli ta bindte partnerin e koalicionit që taksa most të hiqej. Kërcënimeve nga LDK se nuk mund të ketë qeveri që e polarizon Kosovën me ShBA’të, Kurti iu përgjigj duke ua larguar nga qeveria ministrin që LDK ia besoi ministinë, për të cilën u bë lufta me e ashpër mes tyre dhe VV’së. Sepse tashmë Kurti po e dinte se LDK heshturazi po i jepte ultimatume se po nuk u hoqi taksa, do ta hiqnin atë nga kreu i ekzekutivit. Dhe, Kurti bëri një veprim prej kamikazi. Kjo do t’i sillte pak poena, sadopak. Ose të paktën, do krijonte pak mjegull, e cila një “ujku” sikur zoti Kurti, i pëlqen në çdo rast.

Në anën tjetër, mospajtimi me Thaçin lidhur me dekretin, është veçse zgjatim i mospajtimeve më të thella të dy kundërshtarëve më të ashpër në skenën politike kosovare tash e dhjetëra vite. Brumi i problemit të tyre është dialogu me Serbinë. Kurti që në fushatë shkoi deri në premtime se do ta shkarkonte Thaçin, në 44 ditët e qeverisjes së tij, përveç se mundi ta zhvendosë nëpër muret e zyreve fotografinë e tij, u tregua i pafuqishëm në çdo përpjekje për ta minimizuar rolin e tij. Refuzimi për ta hequr taksën ishte veprim për ta zhagitur çështjen e dialogut, me shpresën se nga tavolina e bisedimeve ta largonte Thaçin.

Para disa ditëve mes tyre pat një takim disaorësh. As sot nuk dihet se ç’u diskutua në atë takim. Pas atij takimi mbahen mbend veç fytyrat e vrenjtura të dy protagonistëve. Dhe kur dukej se të dy ishin të fokusuar tek menagjimi i situates së krijuar nga pandemia, shpërtheu “bomba” e djeshme, që ia dha fund qeverisë me jetëshkurtër që ka pasur Kosova. E për këtë “bombë”, tashmë nga Kurti dhe partia e tij gishti gjithsesi që do të drejtohet prapë nga Thaçi. Armiqësia mes tyre do të vazhdojë. Kushedi dhe sa. Por heqja e taksës tashmë do të jetë çështje ditësh. Ndërsa, marrëveshja me Serbinë me shumë gjasë çështje muajsh.

Pas shpalljes së pavarësisë, për këto 13 vite, Kosova është qeverisur nga katër kryeministra. Nga viti 2008 e deri në vitin 2014, 1141 ditë në mandatin e parë e 1387 në mandatin e dytë, kryeministër ishte preidenti i tanishëm, Hashim Thaçi. Në periudhën 2014-2017, për 1006 ditë kryeministër ishte Isa Mustafa, i cili gjatë mandatit të tij ishte vendimtar që Thaçi sot të jetë president. Nga viti 2017 e deri në vitin e kaluar (2019), vetëm 678 ditë, kryeministër ishte Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje me arsyetimin që lidhej me Tribunalin Special, por që e vërteta lidhej me taksën ndaj Serbisë dhe dialogun me këtë shtet. E pikërisht për këto dy çështje, Kurti do të listohet si kryeministri që nuk ia doli të qeverisë as dy muaj. Qeverisi vetëm 44 ditë, ndonëse kur nënshkroi marrëveshjen me LDK’në ishte shumë ambicioz, duke thënë se kanë plan 4+4, që nënkuptonte dy mandate të plota. Në fakt, nga kjo formulë mbeten veç dy numrat. 44 zuri vendin e 4+4.