Lajme

4 mijë fletëvotime me shenja te numrat 63 dhe 64, flet menaxheri i qendrës në Rahovec

12/28/2025 13:30
nga:G B

Menaxheri i qendrës së votimit në shkollën “Isa Boletini” në Rahovec, në një intervistë për T7 ka dhënë detaje për problemin me fletëvotimet në të cilat janë hasur shenja të dukshme në numrat e fletëvotimit.

Ai ka thënë se pas hapjes së vendvotimeve, në qendrën në fjalë, kryesuesit kanë njoftuar se në disa fletëvotime ka pika të verdha tek numri 63 dhe 64.

Menaxheri i kësaj qendre ka thënë se gjithsejtë bëhet fjalë për 4 mijë fletëvotime të tilla të cilat janë me shenja tek numrat.

“Këtu tek ne janë 11 vendvotime, nga të gjitha këto shenja dhe fletë që i kemi grumbulluar, janë gjithsejtë 4 mijë”, ka thënë ai për T7.

Sipas tij, ky problem është në kuadër të printimit, meqë është një seri fletëvotimesh dhe s’mund të jenë pika të bëra nga dikush me dorë.

“Shifet që është punë serike, me siguri gjatë printimit. S’ka mundësi të jetë me dorë. Por është shqetësim, i falendërojmë secilin kryesues që kanë marrë infromata me kohë”, ka thënë ky menaxher i qendrës për T7.

“Për momentin janë vetëm fletëvotime të pastërta, e vazhdojmë punën”, ka shtuar ai.