25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.
Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.
Sot gjithashtu mbushen 25 vjet edhe nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.
Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.
Komuna e Rahovecit sot gjatë ditës organizon tubim përkujtimor te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Brestovc, duke filluar nga ora 10:00.
Tubime përkujtimore do të mbahen edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Fortesë nga ora 11:00 dhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Celinë nga ora 13:00.