Lajme

200 mysafirë me rëndësi, në Berlin shënohet 20 vjetori i çlirimit të Kosovës

06/13/2019 07:29
nga:L H

Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, në Berlin mbrëmë, në hapësirat e Commerzank, ndërtesë kjo e cila është pranë Portës së Brandenburgut është shënuar 20 Vjetori i Çlirimit të Kosovës.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin më shumë se 200 mysafirë- Ambasadorë të vendeve mike të Kosovës të akredituar në kryeqytetin e Gjermanisë, përfaqësues të Qeverisë së Gjermanisë nga Zyra e Kancelares Merkel, Ministria e Jashtme, ajo e Mbrojtjes dhe të Ministrive tjera. Të ftuar të veçantë në këtë mbrëmje ishin edhe Ambasadori i SHBA-ve në Gjermani Richard Grenell dhe ambasadorë të shteteve mike të akredituar në Berlin si dhe përfaqësues nga Qeveria e Gjermanisë.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani Beqë Cufaj në fjalën e rastit pasi ka falenderuar për angazhimin gjerman para, gjatë dhe pas luftës ka thënë që Kosova nuk ka vend më mik në Europë sesa Gjermaninë dhe se për këtë tregon edhe vet prania e shtetasve të Kosovës në këtë vend.

Fjalë rasti në emër të Qeverisë së Gjermanisë ka mbajtur edhe Ambasadorja Bettina Cadenbach, shefe e çështjeve të Sigurisë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë si dhe ish- Shefi i KFOR-it në Kosovë dhe aktualisht Komandanti i forcave të NATO-s për Europën Veriore, Erhard Bueheler.