Sot kur po shënohet 20-vjetori i konstituimit të legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës së pasluftës, Instituti Demokratik i Kosovës kërkon nga përfaqësuesit e zgjedhur që të përkushtohen për rritjen e efikasitetit të punës së Kuvendit duke miratuar Rregulloren e Re të Punës që do të përmbyllte një debat të stërzgjatur prej më shumë se një dekade.
Më 29 prill, 2010 Legjislatura e III-të e Kuvendit, në përputhje me nenin 76 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës pati miratuar Rregulloren e parë të punës.
Deri në atë kohë, Kuvendi i Kosovës, funksionimin e tij të brendshëm e rregullonte me Rregulloren e punës të dalë nga Korniza Kushtetuese e UNMIK-ut.
“Sot, 11 vite pas, Kuvendi ende nuk ka arritur të nxjerrë një rregullore të re dhe më të avancuar, ndonëse praktikat parlamentare rekomandojnë që secila legjislaturë në fillim të punës së saj të përditësojë atë për t’iu përshtatur kontekstit politik dhe shoqëror. Përpjekjet e legjislaturave paraprake për të miratuar Rregulloren e re nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mungesës së konsensusit të grupeve parlamentare lidhur me përmbajtjen e saj dhe krizave politike të njëpasnjëshme nëpër të cilat është futur vendi”, thuhet në reagimin e KDI-së.
KDI ua rikujton përfaqësuesve të zgjedhur se Kuvendi i Kosovës përgjatë kësaj dekade është përballur me sfida serioze të cilat kanë cenuar funksionimin normal të tij dhe kanë penguar përmbushjen e mandatit të tij kushtetues.
“Mungesa e kuorumit për vendimmarrje, mospjesëmarrja e rregullt e deputetëve në punime, përdorimi i praktikave dhe gjuhës joparlamentare, mbikëqyrja e dobët parlamentare, dështimi në përmbushjen e agjendës legjislative dhe organizimi i dobët i punës janë vetëm disa prej sfidave me të cilat po përballet Kuvendi për një kohë të gjatë. KDI është e bindur që një pjesë e mirë e sfidave do të mund të tejkaloheshin me Rregulloren e re e cila do të përmbante rregulla të brendshme më efikase të cilat do të adresonin defektet e shfaqura”, thuhet në komunikatë.
KDI e vlerëson mbështetjen që deputetët e legjislaturës aktuale, Kryetari i Kuvendit dhe grupet parlamentare po i japin procesit të draftimit të Rregullores së re.
“Duke qenë se grupi punues për Rregulloren e re është në përmbyllje të punës së tij, KDI kërkon që ajo të procedohet sa më parë në votim në mënyrë që sesioni i ardhshëm parlamentar të funksionoj me rregullat e praktikat më të mira të cilat do të vinin në pah gjithë potencialin e Kuvendit, e me këtë do të përmirësohej jeta parlamentare në Kosovë.
E gjithë kjo, do të përkthehej në ligje më cilësore, mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë dhe përfaqësim më dinjitoz të interesave të qytetarëve të vendit”, thuhet në fund të reagimit.