Cult

Më 20 nëntor nis edicioni i 17-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë

11/16/2017 12:27
nga:D.I

Prej datës 20 nëntor deri më 30 nëntor do të mbahet edicioni i 17-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, gjatë të cilit do të ketë aktivitete të ndryshme.

Evenimenti organizohet nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze të Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Me këtë rast, kinemaja Cineplexx në Albi Mall është bashkëpunuese për organizimin e festivalit, i cili do të hapet të hënën në orën 19:00 në Cineplexx, me prezantimin e filmit Jalouse të regjisorëve David dhe Stéphane Foenkinos.

Një takim letrar do të mbahet të martën me 21 nëntor në orën 9:00 në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës rreth përshtatjes së veprave letrare në kinema nga vëllezërit Foenkinos të cilët rregullisht bashkëpunojnë në projektet e veprave dhe filmave.

Aktivitetet do të vazhdojnë me fokusim mbi vallëzimin në kinema dhe me shfaqje çdo mbrëmje në orën 19:00 në Cineplexx prej 20 deri me 24 nëntor. Një mbrëmje e kinemasë belge do të mbahet të premten më 24 nëntor në ora 19:00, në Aleancën franceze të Prishtinës, me shfaqjen e filmit Tokyo Fiancée ku do të ketë edhe birra.

Festivali do të vazhdojë me 25 dhe 26 nëntor në kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë, në bashkëpunim me ekipin e festivalit Anibar.

Në fund, më 30 nëntor, shfaqja e filmit Tapis Rouge do të mbahet në Universitetin e Prishtinës.